Shqipëria bën detyrën, merr fitoren e parë në kualifikueset për Botërorin 2026 ndaj Andorrës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.03.2025, 22:53

Kombëtarja e Shqipërisë ka bërë detyrën në 'Air Albania' me një fitore me rezultatin 3-0 ndaj modestëve të Andorrës, duke marrë tri pikët e para në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Të besuarit e Sylvinhos dominuan ndeshjen si në posedim, ashtu edhe në krijimin e rasteve, duke mos i lënë kundërshtarëve hapësirë për surpriza.

Shqipëria e gjeti golin që në minutën e nëntë me Rey Manajn, i cili realizoi me kokë pas një harkimi perfekt nga e majta nga Asllani. Vetëm dhjetë minuta më vonë, Armando Broja depërtoi në zonë falë një driblimi fantastik dhe asistoi për Manajn, i cili dyfishoi epërsinë me një goditje të saktë brenda zonës, duke shënuar golin e dytë personal në këtë ndeshje.

Sulmuesi shqiptar pati mundësinë të realizonte hat-trikun në pjesën e parë, por portieri Iker Alvarez bëri një pritje vendimtare.

Në pjesën e dytë, kuqezinjtë e ulën ritmin dhe administruan avantazhin, por në minutat e fundit të ndeshjes Myrto Uzuni vulosi triumfin me një devijim të saktë brenda zonës, duke vulosur shifrat në 3-0.

Kjo është fitorja e parë për Shqipërinë në këto Kualifikuese, pas humbjes 2-0 në ‘Wembley’ ndaj Anglisë. Me këtë triumf, kuqezinjtë ngjiten në vendin e dytë në grup me 3 pikë, ndërsa Anglia siguroi një tjetër fitore ndaj Letonisë dhe kryeson grupin me 6 pikë. Letonia ndodhet në vendin e tretë me pikë të barabarta me Shqipërinë.

Serbia, e cila ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje për shkak të angazhimeve në Ligën e Kombeve, do të debutojë në këtë grup pikërisht ndaj Shqipërisë. Përballja e shumëpritur mes dy kombëtareve do të zhvillohet më 7 qershor në "Air Albania", ku pritet një atmosferë e zjarrtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit