Kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër lajm që me siguri do t’i mbajë shqiptarët të mbërthyer pas ëndrrës evropiane: Në 2030-n hyjmë në BE dhe brenda një muaji pronat do të dyfishojnë vlerën!
Pra, edhe 6 vite durim, dhe pastaj… BOOM! Garsonierja juaj në Paskuqan do të vlejë sa një apartament në Paris!
Pra, mjafton të duroni edhe 6 vite dhe pasuria juaj do të dyfishohet magjishëm. Deri atëherë, thjesht përballoni çmimet e larta, pagat e ulëta, emigrimin e të rinjve dhe ndonjë skandal korrupsioni këtu e atje. Asgjë serioze!
Ndërsa për ju që nuk keni ende shtëpi, nëse sot mezi blini një garsoniere me kursimet e tre brezave, në 2030-n do të blini… Një patëllxhan! Por s’ka problem, se gjithçka do të jetë më e mirë: pagat do të rriten (në ndonjë univers paralel), korrupsioni do të zhduket (ose do të gjejë një emër më modern) dhe, sipas kësaj logjike, edhe qentë e rrugës ndoshta do fillojnë të flasin.
Në një takim me sipërmarrës në Sarandë, Kryeministri tha se kur Kroacia hyri në BE, çmimet e pronave u dyfishuan për një muaj. Fantastike! Vetëm se ka një ndryshim të vogël: Kroacia realisht hyri në BE. Ne, ndërkohë, kemi një fjalim dhe një premtim që tingëllon bukur, por mund të përfundojë si gjithë të tjerët… në koshin e historisë.
Nëse s’keni prona, ka zgjidhje! Mund të merrni një kredi 200-vjeçare, të punoni 15 orë në ditë ose, edhe më mirë, të bëheni ndërtues. Sepse ata gjithmonë fitojnë.
Me këtë ritëm, pas 2030-s, shqiptarët do të jenë të huaj në vendin e tyre, ndërsa turistët dhe oligarkët do të gëzojnë një Shqipëri të bukur, por jo më për shqiptarët.
Në fund të fundit, Rama e ka një plan për gjithçka: sot premton, nesër justifikon dhe pasnesër fajin e ka Saliu.