Një qytetar ka denoncuar përmes një mesazhi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania gjendjen e rëndë të urgjencës në spitalin e Lezhës. Sipas tij, jo vetëm që shërbimi është i mangët dhe mjekët refuzojnë të trajtojnë pacientët me justifikimin se "nuk kanë të drejtë", por ambientet e spitalit janë gjithashtu në gjendje të mjerueshme higjienike.
Në denoncimin e tij, qytetari tregon se kishte shkuar në urgjencë për t’i bërë një serum një miku të familjes, por është përballur me një refuzim të pakuptueshëm nga stafi mjekësor. Ai gjithashtu denoncon praninë e papastërtisë ekstreme në ambientet e spitalit, duke përmendur se nëpër mure ka edhe krimba, ndërsa rrobat janë të shpërndara vend e pa vend.
Në vijim, mesazhi i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ, isha te urgjenca në Lezhë për t’i bërë një serum një miku të familjes. Por, fatkeqësisht, populli ynë është i paturp dhe ka aftësinë të thotë: ‘Jemi urgjencë dhe nuk kemi të drejtë ta marrim përsipër pacientin, as për t’i bërë një serum.’ Nëse nuk kanë të drejtë të trajtojnë pacientët, të paktën të hapin sytë dhe të pastrojnë ambientet. Të heqin krymbat nga muret e dhomave, meqë me pacientët nuk duan të merren sepse përtacinë e kanë të tepruar. Të paktën, le të mos përtojnë për higjienën dhe rregullin."