Policia e Kosovës kap mbi 32 kg drogë në një makinë me targa serbe, arrestohet një person

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 25.03.2025, 08:27

Një operacion policor i koduar “SHTEGU” ka rezultuar me sekuestrimin e mbi 32 kilogramëve marihuanë dhe arrestimin e një të dyshuari në Pikën Kufitare të Jarinjës.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Njësinë e Krim-Teknikës, ka ndaluar për kontroll një automjet Mercedes A-Class me targa serbe, pas dyshimeve se transportonte substanca të paligjshme.

Makina është dërguar për kontroll më të detajuar në Mitrovicën e Jugut, ku është zbuluar një rezervuar i fshehtë metalik, me dimensione 160x97x25 cm. Brenda tij, policia ka gjetur 30 pako me marihuanë, me peshë totale 32.4 kilogramë.

I dyshuari, N.M. nga Beogradi, është arrestuar dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë është dërguar në ndalim policor për 48 orë. Ndërkohë, automjeti dhe dy telefona celularë janë sekuestruar për hetime të mëtejshme.

Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj në luftën kundër trafikut të drogës dhe fton qytetarët të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë tek autoritetet përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit