Banorët e fshatrave të Shkodrës dhe Lezhës kërkojnë mbylljen e landfillit në Bushat për shkak të pasojave të rënda mjedisore që po shkakton.
Sipas tyre, ky landfill ndikon drejtpërdrejt në lumin Drin, që buron në fshatin Shelqet dhe derdhet në Lezhë, duke përkeqësuar cilësinë e ujit dhe duke kërcënuar shëndetin e banorëve që jetojnë përgjatë tij, veçanërisht në fshatin Barbullush dhe Tale.
Pasojat që po shkakton ky landfill janë të dukshme dhe shqetësuese. Uji i lumit ka filluar të ndotet, duke rritur rrezikun për sëmundje dhe duke kërcënuar bujqësinë dhe jetën e egër në këtë zonë. Banorët dhe aktivistët kërkojnë që të mbyllet ky landfill, duke theksuar se përgjegjësia për këtë dëm mjedisor bie mbi ata që kanë lejuar funksionimin e tij pa marrë parasysh pasojat afatgjata për mjedisin dhe shëndetin publik.
Ata kërkojnë që autoritetet lokale dhe qendrore të merren me këtë çështje dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e mjedisit dhe interesat e qytetarëve. Ata theksojnë se landfilli i Bushatit ka krijuar një situatë alarmante dhe kërkojnë veprime të menjëhershme për mbylljen e tij dhe pastrimin e ndotjes që ka shkaktuar.
Denoncimi i qytetarit:
"Shikoni pasojat që sjell landfilli i Bushatit! Këto janë pasojat dhe përgjegjësit, përfshirë ata që ishin në qeveri. Lumi i Drinit, që buron në fshatin Shelqet dhe derdhet në Lezhë, është i ndikuar rëndë. Unë po protestoj për mbylljen e këtij landfilli. Pasojat që shkakton landfilli i Bushatit janë të rënda për lumin që kalon përmes fshatit Barbullush dhe derdhet në fshatin Tale të Lezhës. Ne kërkojmë që kjo të bëhet një problem i madh dhe të kërkohet mbyllja e landfillit në Bushat të Shkodrës".