Qiramarrësi në Shkup vret pronarin e shtëpisë, plagos djalin e tij dhe vetëvritet

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.03.2025, 14:03

Dy persona kanë humbur jetën në Volkovë të Shkupit pas një incidenti me armë zjarri mëngjesin e sotëm, konfirmon Ministria e Punëve të Brendshme.

Mediat në RMV shkruajnë se ngjarja ka ndodhur pasi një qiramarrës ka qëlluar disa herë pronarin e shtëpisë ku jetonte dhe ka plagosur djalin e tij të mitur.

Sipas dëshmive fillestare, menjëherë pas krimit, autori i dyshuar ka marrë jetën e vet me një plumb në kokë. Banorët e lagjes thonë se janë zgjuar nga të shtënat me armë zjarri, të ndjekura nga sirenat e policisë dhe ambulancës.

Motivet që çuan në këtë akt të rëndë për momentin mbeten të paqarta. Policia ende nuk ka dalë me një version zyrtar për ngjarjen, por ka paralajmëruar se gjatë ditës do të japë më shumë detaje në lidhje me rrethanat dhe sfondin e kësaj tragjedie.

“Rreth orës 09:00 në SPB Shkup është denoncuar se në fshatin Vollkovë të rajonit të Shkupit ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur disa persona. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe është konstatuar se R.C. dhe M.N. nga plagët e marra kanë vdekur në vendngjarje. Një mjek i urgjencës konstatoi vdekjen. I plagosur ka mbetur edhe një i mitur i cili është transportuar për mjekim në Kompleksin Klinikë “Nënë Tereza”. M.N. është autor i mundshëm i vrasjes”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë nga Klinika e Traumatologjisë thonë se gjendja e të lënduarit është e qëndrueshme.

“Është pranuar një pacient i plagosur nga armë zjarri. Për momentin po bëhen kontrollet e nevojshme. Gjendja e përgjithshme është e qëndrueshme. Pas kontrolleve pacienti do të vazhdojë kurimin me siguri në Klinikën e Kirurgjisë Plastike”, deklaroi Marija Sërceva, Drejtore e Klinikës së Traumatologjisë.

Nga ana tjetër forcat policore janë ende në rrugët e Vollkovës, ndërsa policia po kryen hetim në vendin e ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit