Një ngjarje e rëndë e tronditi Kosovën mbrëmjen e djeshme kur 19-vjeçari Ardit Zymeri u qëllua për vdekje nga bashkëmoshatari i tij, Bleon Dibrani.
Rreth orës 20:35, policia mori denoncimin se në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, pati të shtëna me armë zjarri.
Efektivët mbërritën në vendin e ngjarjes ku fatkeqësisht konstatuan trupin e pajetë të 19-vjeçarit.
Autori fillimisht ishte larguar nga vendngjarja por pas disa orëve kontrolle Policia e Kosovës arriti të vërë në pranga Dibranin.
Në kuadër të hetimeve të kryera në vendin e ngjarjes, grupi hetimor si prova materiale gjeti dhe sekuestroi tre gëzhoja. Ndërkohë, në banesën e autorit u gjet dhe u sekuestrua një armë me 5 fishekë.
Teksa hetimet vazhdojnë, pista kryesore për motivin është ajo e xhelozisë. Dyshohet se dy të rinjtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin për një vajzë, konflikt që ka degraduar deri në përdorimin e armëve dhe ka përfunduar me një tragjedi.