“Policë që rrezikojnë qytetarët!” Pas denoncimit në JOQ, gjobitet grupi i dytë i efektivëve

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 24.03.2025, 10:44

Policia ka reaguar sërish lidhur me një tjetër rast të denoncuar nga JOQ Albania, ku efektivët e saj rrezikojnë jetën e qytetarëve duke kryer manovra të rrezikshme parakalimi brenda tuneleve të ngushta të rrugës së Arbrit.

Ngjarja ka ndodhur në tunelin pas urës së Vashës, dhe pas verifikimit të targave, rezultoi se automjeti i përkiste komisariatit të Bulqizës. Sipas njoftimit, drejtues i tij ishte inspektori me inicialet D. D., ndaj të cilit u vendos një gjobë prej 40,000 lekësh të rinj dhe iu hoqën 15 pikë nga leja e drejtimit.

Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor ndaj inspektorit D. D. dhe shefit të komisariatit të Bulqizës, komisar E. P., për shkelje të rënda, përfshirë cenimin e imazhit të policisë dhe keqpërdorimin e kompetencave.

Një rast i ngjashëm u raportuar edhe më herët në JOQ Albania, ku një tjetër makinë policie kreu manovra të rrezikshme në tunelin e Murrizit, dhe policia ndërmori të njëjtat masa.

Kjo ngre një pyetje të rëndësishme: A mjaftojnë këto gjoba dhe zbritja e pikëve nga patenta, kur raste të tilla po përsëriten njëri pas tjetrit? Numri i aksidenteve në rrugët e vendit është në rritje, por kur shkelësit janë vetë efektivët e policisë, situata bëhet edhe më alarmante.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit