Një qytetar nga fshati Malas Gropë, ka denoncuar në redaksinë tonë bashkinë Dimal pasi ka lënë në gjendje të mjeruar rreth 100 metër rrugë që të çon te varrezat.
Ai ka treguar se në vitin 2017, bashkia ka marrë fondin dhe ka nisur punën për rregullimin por në rrethana të pakuptueshme ka lënë në gjysmë punimet dhe është “zhdukur”.
Qytetari thotë se gjendja e rrugës është aq skandaloze dhe e pakalueshme sa që arkivolin e të vdekurve duhet ta mbajnë në krahë për ta çuar në varreza dhe qytetarët me forcat e tyre mbledhin gurë për ta sistemuar sado pak.
Përveç kësaj, në këtë rrugë mungojnë kazanët e plehrave dhe situata është kaotike dhe alarmante.
Duke qenë taksapagues të rregullt, qytetarët kanë bërë edhe kërkesa ligjore, nëpërmjet avokatëve, në bashki për rregullimin e menjëhershëm të kësaj rruge, por s’kanë marrë asnjë përgjigje.
Madje ata i kanë shkruar edhe kryebashkiakes Juliana Memaj, por përveç bllokut në rrjetet sociale, s’kanë gjetur zgjidhje.
Qytetarët shpresojnë që ky denoncim do “ndërgjegjësojë” dhe zgjojë nga gjumi kryetaren e cila ka harruar cila është detyra e saj dhe pse është votuar nga banorët.