Bashkia e Tiranës vazhdon avazin e vjetër duke i hapur punë vetes pas çdo projekti të përfunduar që duhet t’i shërbejë komunitetit.
Banorët e Astirit pritën gati një vit për të parë të asfaltuar rrugën 600 metra të lagjes së tyre, por gëzimi nuk i zgjati shumë. Asfalti i sapovendosur është çarë përsëri, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera.
Në pamjet e siguruara nga JOQ Albania, dallohet një gropë e madhe në korsinë e biçikletave, ku po kryhen instalime elektrike. Banorët shprehin shqetësimin se punimet kanë zgjatur për një kohë të gjatë dhe pas inaugurimit rruga nuk ka qenë e plotësuar me të gjithë elementët e saj, por ka pasur nevojë për ndërhyrje shtesë.
“Sapo e kan mbaruar Rrugen Astir Gati 1vit duke e ber 600 metra rrug”, shkruan denoncuesi.
Kjo është një praktikë e njohur në punimet infrastrukturore në kryeqytet. Disa javë më parë u njoftua mbyllja e përkohshme e një pjese të Unazës së Madhe që u inagurua me bujë, për shkak të shtimit të një shtrese asfaltbeton. Punimet në Unazë nuk konsiderohen ende plotësisht të përfunduara dhe jo të gjithë hyrje-daljet e saj janë të aksesueshme për qytetarët.