“U fut papritur në kryqëzim”, qytetari tregon se si betonierja pa drita i rrezikoi jetën

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.03.2025, 23:06

Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një betoniere që lëvizte pa targa dhe pa ndriçim në pjesën e pasme, duke u kthyer në një rrezik të madh për drejtuesit e tjerë në rrugë.

Ngjarja ka ndodhur në Cërrik, ku qytetari tregon se betoniereja iu fut papritur në kryqëzim, duke e vënë atë në rrezik serioz aksidenti. Në videon e dërguar, shihet qartë mjeti i rëndë që lëviz pa asnjë sinjal ndriçimi në pjesën e pasme, gjë që e bën pothuajse të padukshëm gjatë natës.

"Sot në Cërrik m'u fut në kryqëzim pa pritur dhe desh bëra aksident se nuk e pashë, ishte pa sinjalistikë dhe pa targa. Nuk e di se kujt i përket ky mjet," – thotë qytetari që denoncon rastin.

Ky denoncim vjen pak ditë pas aksidentit tragjik në Fushë-Prezë, ku 4 të rinj humbën jetën pasi makina e tyre u përplas me një betoniere. Ky nuk është një rast i izoluar, pasi betoniere të shumta janë kthyer në një rrezik të shtuar në rrugët e Shqipërisë, duke lëvizur shpesh me probleme teknike, pa ndriçim apo edhe pa targa.

Disa ditë më parë, JOQ Albania raportoi gjithashtu për një betoniere që lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara në aksin Kavajë-Rrogozhinë, duke rrezikuar jetën e shoferëve të tjerë.

Qytetarët bëjnë thirrje për kontroll më të rreptë ndaj këtyre mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat jo vetëm që shpesh janë jashtë standardeve, por edhe lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, duke shkaktuar aksidente të rënda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit