“Na poshtrojnë për vota!” Mësuesit ankohen pas testit ngelës, i kërkojnë llogari ministres

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 23.03.2025, 16:42

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, mësuesit e arsimit parashkollor dhe fillor po përballen me presione të forta, që sipas tyre, po u nëpërkëmbin dinjitetin dhe po zhvlerësojnë punën e një jete.

Këtë vit, mësimdhënësit iu nënshtruan testimit kualifikues 2025, organizuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, por rezultatet e publikuara i kanë tronditur. Me qindra prej tyre kanë rezultuar ngelës, gjë që ata e kundërshtojnë fuqishëm, duke vënë në dyshim përmbajtjen e pyetjeve dhe objektivitetin e testit.

Të bashkuar, mësuesit i kanë drejtuar një letër të hapur Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, përmes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Shqipërisë, ku rendisin problematikat kryesore të testimit:

  • Pyetjet ishin të bazuara në memorizim dhe nuk përputheshin me modelin e mendimit kritik.
  • Tekstet ishin shumë të gjata, koha në dispozicion ishte e shkurtër dhe, pavarësisht se testi ishte me alternativa, kërkonte llogaritje të ndërlikuara.
  • Pragu i kalueshmërisë ishte 60% e pikëve, një nivel shumë më i lartë krahasuar me vitet e mëparshme.
  • Formulimi i pyetjeve ishte i pasaktë, me alternativa sinonime që krijonin konfuzion.

Mësuesit thonë se ky test nuk ka qenë i drejtë, dhe për këtë arsye e kanë të vështirë të dalin përpara nxënësve dhe të pranojnë një dështim që nuk reflekton realisht aftësitë e tyre. Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit që të mos e bëjë profesionin e tyre më të vështirë sesa është, por t’i trajtojë me respekt dhe dinjitet.

Në letrën e tyre, ndër të tjera thuhet:

"Jam akoma pjesë arsimit vetëm për një arsye, e dua punën që bëj, fëmijët më japin gëzim dhe motivim për të punuar. Tashmë kam shumë arsye për ta lënë punën, diskriminimi që na është bërë për rritjen e pagave, që në të vërtetë nuk ka ndodhur pasi nuk jemi llogaritur fare, sepse ne parashkollori pjesë e shkollave 9-të vjeçare, nuk na ka as ZVA-ja, as bashkia, pra jemi në mëshirë të fatit."

Sipas tyre, kjo situatë është e qëllimshme dhe lidhet me zgjedhjet, duke i përdorur mësuesit si mjet për sigurimin e votave.

Në një mesazh drejtuar JOQ Albania, ata shkruajnë: "Jemi 300 mësues që po përjetojmë këtë stres. Është absurde! Kërkojmë ndihmën tuaj! Ne jemi ata që ju kemi kapur dorën kur ishit të vegjël dhe ju dhamë dijet e para. Pse nuk na mbështesni? Sot kemi nevojë për ju! Po na poshtërojnë për vota!"

Letra e plotë publike:

Letër e hapur!

E nderuar znj. Ogerta Manastirliu

Ministre e Arsimit dhe Sportit Ministria e Arsimit dhe Sportit

SINDIKATA E BASHKUAR E ARSIMIT TË SHQIPËRISË (SBASH)

Lënda:Ankesë e nj grupi të mësuesve pjesëmarrës në procesin e kualifikimit 2025

Znj Ogerta MANASTIRLIU MINISTRE E MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SPORTIT

Në mbështetje të udhëzimit nr. 17, datë 22.7.2024, “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të punonjësve arsimorë”, i ndryshuar mësuesit i janë nënshtuar procedurave për marrjen e kategorisë së kualifikimit.

Siç e kemi referuar edhe më herët dhe e faktuar edhe me ndryshimet e shpeshta në momente të fundit, udhëzimi i sipër cituar ka sjellë shumë probleme të cilat duhet të adresohen shpejt dhe me shumë kujdes.

Sikur të mos mjaftonin këto, një problematikë shumë e rëndë ka vënë në dyshim funksionimin e sistemit tonë arsimor kompetencat dhe aftësitë e mësusve. Në testimin e zhvilluar pranë QSHA-së një numër i madh mësuesit të arsimit parashkollor dhe arsimit fillor, kanë rezultuar mbetës, duke mos kaluar pragun e vendosur në nenin 22, të udhëzimit, Vlerësimi i testimit të informatizuar për kandidatët e kategorisë “Mësues i kualifikuar”, ku në pikën 3, citohet se: “3. Vlerësimi i testimit të informatizuar kalohet me sukses kur kandidati fiton të paktën 60 për qind të pikëve total të testit.”

Në disa raste është referuar se në grupe prej 60 pjesëmarrësish të testuar njëkohësisht, rezultojnë kalues një ose dy mësues dhe këta në limitet e pragut të kalueshëmërisë prej 24 pikësh. SBASH ka pasur ankesa nga shumë mësues dhe deri tani janë referuar mbi 300 të tilla. Për të dëgjuar komentet e tyre kemi zhvilluar takime online dhe kemi mbajtur shënim çdo pretendim.

Edhe pse nga ana e tyre është bërë ankim sipas procedurave të përcaktuara në udhëzim, në nenin 29, Procedura e ankimit, kërkesa ka qenë që ne si SBASH, të përcjellim një ankesë të përgjithshme, duke u bërë kështu përfaqësuesit e tyre pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Më poshtë po listojmë disa nga problematikat që janë referuar.

✓ Pyetjet janë hartuar në mënyrë të tillë që kërkojnë të mësuar përmendësh duke mos qenë në përputhje me modelin e të menduarit kritik, tek i cili ne aspirojmë të marrim rezultate edhe me PISA. Pra nëse ne kryejmë një testim të tillë me mësuesit si mund të presim që ata të ndryshojnë metodologji me nxënësit.

✓ Pyetjet ishin shumë të gjata, koha në dispozicion shumë e shkurtër dhe në disa raste kërkoheshin edhe mjete ndihmëse për të brë zgjidhjen e etyre pasi vërtetë ato ishin me alternative por përgjigja dilte pasi të kishe kryer një sërë veprimesh matematikore.

✓ Niveli i pragut për të kaluar, sipas nenit 22 të udhëzimit që kërkonte grumbullimin e 60% e totalit të pikëve për të qenë kalues ka ndikuar në rezultat, pasi konsiderohet i lartë dhe në vitet e mëprshme ka qenë mbi 40%.

✓ Pyetje shpesh ishin jashtë programit orientues, pyestje të formatuara keq, shumë të gjata si në pyetje edhe në alternativë, si dhe ishin përgjigje të ngjajshme midis alternativave që vërtetë krijonin konfuzion në gjetjen e përgjigjes së saktë.

✓ Nga ankuesit është konsideruar pabarazi dhe diskriminim në mënyrën e zgjedhur për vlerësimin e mësuesve në sistem pasi nuk vlerësohen në të njëjtën mënyrë të gjithë kandidatët për shkallë kualifikimi të ndryshme jo vetëm ndër vite, për shkak të ndryshimeve të shpeshta në udhëzim por edhe brenda një viti dhe niveli kaulifikimi. Shumë mësues ankimojnë dhe referojnë se testi ishte i një niveli shumë të lartë për arsimin fillor dhe konkretisht referojnë pyetjet: 2, 9, 11, 12, 13, 15, 16, 18, 20, 21.

Ishin pyetje ku alternativat ishin sinonime të njëra tjetrës, si dhe problemat e vendosura ishin shumë dhe kërkonin kohë për t’u zgjidhur ndërkohë që koha e vendosur në dispozicion ka qenë e shkurtër për kaq shumë problema dhe ekuacione.

Më shumë se përgjigje për informacion që gjendet në rrjet dhe çdokush mund të aksesoj mësuesit kanë kërkuar që kualifikimi të kryhet për metoda mësimdhënie, apo bazën ligjore në zbatim. Duket absurd edhe kur merr 21 pikë nga 40 pikë, pra edhe kur zgjidh mbi gjysmën e testit saktë rezulton të jesh ngelës dhe të zerohen të gjitha hallkat e tjera që janë vlerësuar.

Ky vërtet që është një handikap i udhëzimit dhe formës së zgjedhur për testim.

Pyetja që shtrohet nga mësuesit është: A jemi ne dështak, ne që kemi marrë licensën me notën shumë të mira, kemi marrë mbi 80 % të pikëve të Portalit “Mësues për Shqipërinë”, tani jemi ata që rezultojnë ngelësa dhe e kemi të vështirë të shkojmë në shkollën ku japim mësim. Nuk ka gjë më të rëndë për ne të shkojmë në shkollë dhe të themi: “Po edhe unë mësuesja juaj kam ngelur. Ju lutemi mos na e bëni këtë profesion më të vështirë nga ç'ka ai vërtet është, na provoni për ato që ne prekim dhe shkruajmë në mendjen e çdo fëmije! Përpiquni të na trajnoni siç duhet dhe mos na testoni për informacione të pavlefshme, që Google apo IA, t’i jep më shpejt se mendja njerëzore.

Pse të mos provohemi për orën e mësimit, për menaxhimin e një situate në klasë, për njohjen e rregullores, dokumentacionit të shkollës, etj. Asnjë profesion tjetër nuk testohet pas liçensimit, pse na e bëni vetëm neve këtë gjë. Pse???

Një përmbledhje e njëjtë vjen edhe për arsimin parashkollor. Testi ishte i një niveli shumë të lartë për arsimin parashkollor, pyetjet që kanë rënë, i kemi gjetur në librat e ciklit fillor klasa 5-të (sistemi i frymemarrjes se bretkosës, një formulim i pakuptimtë i pyetjes rreth yllit, e shumë pyetje te tjera që nuk përkojnë me profilin tonë.)

Ishin pyetje ku alternativat ishin sinonime të njëra -tjetrës, pyetje të gjata dhe jo të qarta. Ne mendojmë se niveli pedagogjik i mësuesit nuk mund të matet vetëm nga një test me alternativa. Jemi testuar njëherë nga ju, përpara se të jemi pjesë e arsimit, në portalin e mësuesit, me pyetje alternative, por ka pasur më shumë pyetje dhe kishte lidhje me programet orientuese që ka nxjerrë ASCAP-i. Tani testohemi sërisht po nga ju,me eksperiencë pune të krijuar dhe papritur dalim të paaftë për të marrë provimin.

Jemi dakort të vëzhgohem në një orë mësimi të hapur (si e menaxhoj klasën, si ua përcjellim informacionet fëmijeve, metodat që përdorim në mësimdhënie, etj.). Nëse edhe me këtë mënyrë vlerësimi, rezultojmë të paaftë, largohem nga puna, por jo në këtë mënyrë.

Jam akoma pjesë arsimit vetëm për një arsye, e dua punën që bëj, fëmijët më japin gëzim dhe motivim për të punuar. Tashmë kam shumë arsye për ta lënë punën, diskriminimi që na është bërë për rritjen e pagave, që në të vërtetë nuk ka ndodhur pasi nuk jemi llogaritur fare, sepse ne parashkollori pjesë e shkollave 9-të vjeçare, nuk na ka as ZVA-ja, as bashkia, pra jemi në mëshirë të fatit. Nu na dëgjohet zëri dhe nuk merremi parasysh nga të tjerët. Me damkën mbetës të shkosh në punë me kokën ulur nuk na bëhet të japim më mësim. Mos na e vrisni pasionin për punën tonë. Ky testim, rezulton një autogol dhe një goditje përfundimtare që ka demoralizuar shumë mësues, por gjejmë forcën që të ngrihemi nëse ankesat tona nuk do të dëgjohen.

Pëveç zhgënjimit të hartimit të testit dhe rezultatit që morën na ka bërë shumë përshtypje arroganca e administratorëve të këtij provimi. Jemi përballuar me një komunikim dhe diskriminim ndaj emrit "mësues", jemi ndjerë keq të na drejtoheshin një auditori me mësues në atë mënyrë për një pyetje, për një sqarim që kërkonim para zhvillimit të provimit.

Sa më sipër SBASH kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga ana Juaj për të vendosur në vend dinjitetin e mësusve duke marrë në analizë situatën dhe duke dalë me një vendim të drejtë për rishikimin e procesit të testimit duke vendosur standard të njëjtë për të gjithë mësusit pavarësisht kategorisë së kualifikimit për të cilën kanë aplikuar.

Në terma afatgjatë kërkojmë përfshirjen tonë në diskutime konkrete për hartimin e bazës ligjore të përshtatshme për realizimin e procedurave të kualifikimit të mësuesve dhe jo vetëm. Kjo kërkesë nuk është formale, as presion ndaj jush, por ka si qëllim të sigurojë një shërbim arsimor sa më të mirë duke bashkëpunuar në interesin më të lartë të nxënësve dhe për një të ardhme më të mirë të këtij vendi.

SBASH do të jetë zëri i tyre përfaqësues në konsolidimin e sistemit tonë arsimor vetëm në interes të garantimit të së drejtës për arsim. E sigurisht mësuesit janë ata që do të mbajnë barrën kryesore në këtë proces dhe shteti ka për detyrë t’i mbështesë në punën e tyre fisnike.

Duke Ju falënderuar paraprakisht, jemi në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë të referimeve tona.

Alma Lama

Presidente

SINDIKATA E BASHKUAR E ARSIMIT TË SHQIPËRISË (SBASH)

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit