Komisioneri evropian i bujqësisië Christophe Hansen i ka thënë fermerëve holandezë se Brukseli “nuk do të fokusohet më vetëm në reduktimin e numrit të kafshëve për objektivat e emetimeve”, dhe se do të bashkëpunojë më shumë me fermerët.
Duke theksuar kapacitetin bujqësor evropian dhe nevojën për “autonomi strategjike”, Hansen pranonte sot se prodhimi i bollshëm bujqësor e bën Evropën më pak të varur nga importet, duke shtuar se “Ne nuk e dëshirojmë këtë.”
Komisioneri është duke bërë një turne vizitash në vendet anëtare, ndërsa komentet në Hollandë u bënë dy ditë më parë në konferencën e Shoqatës Bujqësore dhe Hortikulturës.
Mes të tjerash ai tha: “Fermerët ishin lënë të izoluar në një qoshe duke u thënë se çdo gjë që ata bëjnë është e keqe, por fermerët duhet të kthehen përsëri në qendër të vëmendjes.”
Në çdo pohim të tij komisioneri konfirmonte ato që fermerët evropianë kanë kërkuar në protestat e tyre të më shumë se një viti kundër politikave të BE, të kufizimit të prodhimit dhe kafshëve.
Vetë Hansen është rritur në një familje fermerësh në Wiltz, Luksembourg, teksa kushërira e tij Martine Hansen, është ministre bujqësie në vend.
Në një shkëputje të dukshme nga politikat e deritanishme të BE, Hansen tha: “Përgjigja jonë ndaj sfidave të shumta kishte qenë një format për të gjitha, por kjo duhet të përshtatet sipas territoreve, situatave dhe rajoneve”.
Në lidhje me reduktimin e kafshëve bujqësore komisioneri pranoi se thjesht t’u thuash fermerëve të heqin kafshët e tyre, nuk është diçka praktike pasi prej tyre varen të ardhurat. Ai shtoi se fermerët varen nga toka e shëndetshme, dhe se konsumatorët duhet të lidhen direkt me fermerët për të siguruar lulëzimin e komuniteteve rurale.
“Zonat rurale janë thelbësore për stilin evropian të jetesës dhe pjesë integrale e identitetit tonë”, tha komisioneri, sipas Brusselsingal.