Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë njofton se ka përfunduar hetimet dhe dërgon në gjyq vëllezërit e didentifikuar vetëm me inicialet M.R. dhe A.R., si drejtues të një qendre masazhi që në fakt ishte një pikë prostitucioni.
Hetimet e procedimit penal nr.1789 të vitit 2021, zbuluan se këta shtetas pasi rekrutonin femra për t’i punësuar si ‘masazhatore’ i detyronin të kryenin shërbime seksuale kundrejt pagesës dhe përfitimet i ndanin me njëri – tjetrin.
Nga hetimet prokuroria provoi se pasuritë e tyre, nuk justifikohen nga të ardhurat dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaritë kriminale prandaj me kërkesë të Prokurorisë u sekuestruan pasuritë e mëposhtme të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të siguruara ndër vite:
‘Njësi’ (dyqan), sipërfaqe 34m2;
‘Apartament’ me sipërfaqe 106.4m2, rruga ‘Hoxha Tahsin’, Tiranë;
‘Post Parkimi’ me sipërfaqe 41.2 m2 në Tiranë; dhe
Tre automjeteve tip ‘Benz’, ‘Volkswagen’ dhe ‘Scoda Octava’.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi dërgimin në gjyq për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal për dy të pandehurit.