Një tjetër video alarmante ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku sërish protagonist është një automjet të Policisë së Shtetit që kryen një parakalim të rrezikshëm brenda tunelit, pa ndezur sirenat dhe duke vënë seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve.
Pamjet tregojnë një mjet policie që nuk respekton asnjë normë qarkullimi, duke kaluar vijën e pandërprerë dhe duke lëvizur në korsinë e kundërt, duke rrezikuar përplasjen me automjetet që vinin përballë. E gjithë kjo ndodh pa asnjë justifikim emergjence, pa sirena ndezur dhe me një shpërfillje totale të rregullave që vetë Policia e Shtetit duhet të zbatojë.
Ngjarja ka ndodhur më 6 mars 2025, rreth orës 15:30, në tunelin pas urës së Vashës në rrugën e Arbërit.
Ky nuk është rasti i parë dhe duket se policia e 'paska bërë rrugë këtë punë'. Jo më larg se disa orë më parë, JOQ Albania publikoi një denoncim të ngjashëm nga Tuneli i Murrizit, ku një mjet policie kryente një manovër identike, duke rrezikuar jetët e qytetarëve. Madje, pas reagimit të fortë nga publiku, Policia e Shtetit u detyrua të ndëshkojë shoferin dhe të nisë hetime disiplinore.
Por a mjafton një gjobë dhe disa pikë të zbritura nga patenta? A është normale që ata që duhet të zbatojnë ligjin të jenë shkelësit më të rrezikshëm të tij?
Fakti që raste të tilla po shtohen dita-ditë tregon një problem të madh dhe shqetësues brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Si mund të pretendojë qeveria se po rrit sigurinë rrugore kur vetë policët e saj sillen si rrezik për jetët e qytetarëve?
A ka ndonjë autoritet që mund të vërë në rregull sjelljen e këtyre punonjësve, apo qytetarët do të vazhdojnë të jetojnë me frikën e aksidenteve të shkaktuara nga ata që duhet të mbrojnë jetën e tyre?