Javën e kaluar, mediat raportuan se disa deputetë të Partisë Demokratike, veçanërisht ata të Tiranës, që janë në lista të sigurta, po mbajnë formalisht siglën e partive të vogla aleate.
Këto parti, që nuk do të kishin mundësi të dërgonin deputet në Kuvend, tani kanë mundësinë të figurojnë me përfaqësues në maj, përmes një taktike që akuzohet nga mediat pro-qeveritare si një mënyrë për të manipuluar financimet nga buxheti i shtetit.
Altin Goxhaj, një personazh i njohur në Tiranë për kauzën "anti sorosiane", drejton formacionin politik Aleanca Konservatore për Shqipërinë. Ai komentoi se partia e tij nuk ka pranuar siglën e emrave të sigurt të PD-së dhe ka zgjedhur të kandidojë vetëm me listën e hapur, duke theksuar se nuk janë të gatshëm të "shkojnë kollovar" me Partinë Demokratike.
“Nuk paragjykojmë as PD dhe as partitë e vogla që kanë ofruar siglën. Unë nuk mendoj se është punë fondesh, por mendoj se PD ka përdorur këtë metodë për t’u dhënë përfaqësim dhe prestigj dhe siglave të partive të vogla. Nëse përfitojnë më shumë fonde me këtë skemë? T’i gëzojnë është win-win për ta, por jo për Aleancën Konservatore”, – u shpreh Goxhaj.
Sipas Goxhajt partia e tij Aleanca Konservatore e ka patur absolutisht të panegociueshëm bashkëpunimin me PD-në nëpërmjet kësaj formule, Goxhaj shprehet se nëse dhe Aleanca Konservatore do e bënte diçka të tillë do godiste tërësisht thelbin e saj.
“Mendoni pak çfarë paradoksi do krijohej, – u shpreh Goxhaj, nëse partia jonë e re Aleanca Konservatore e cila në thelbin e saj ka denoncuar dhe sfiduar përballë dhe pa ekuivok një super-sistem të establishmentit të Soros, një ditë të bukur të fuste në listë të sigurt një deputet të PD-së që nuk ka asnjë lidhje me këtë thelb të partisë tonë. Do ishte vetvrasje” , – tha Goxhaj, duke shtuar se “nëse PD-ja do kishte pozita kaq antagoniste dhe identike me ne kundrejt Soros atëherë nuk kishte nevojë për këto formula sepse shkriheshim me PD-në dhe mbaronte filmi. Në thelb ne kemi bashkuar aftësinë tonë me fuqinë e opozitës”.
Sipas tij në Shqipëri ekziston një elektorat potencial që ka ngarkesë anti-soros dhe këtë lloj elektorati asnjëra nga partitë e tjera sipas tij, të mëdha apo të vogla qofshin, nuk e përthith dot.
“Që ta shpjegoj më thjeshtë, ne jemi në koalicion me Partinë Demokratike sepse ajo ka të njëjtin sens drejtimi dhe orientimi me ne, por jo të njëjtën shkallë radikalizmi dhe përcaktimi si e jona në disa çështje thelbësore. Ky pigment radikal i yni është ajo çfarë në ka shtyrë të hidhemi në fushën e betejës, pasi ne besojmë se ka një potencial shumë të lartë të skeptikëve apo të njerëzve që u ka ardhur në majë të hundës me skemat e Sorosit, Shqipëria ka 30 vite që është shndërruar në projekt eksperimental.” , – shprehet Goxhaj, i cili në fund shtoi se “gradat mund të t’i japë veç lufta, luftëtarin e kualifikon dhe e sprovon veç lufta në fushëbetejë, nëse dikush merr grada para lufte, ato nuk janë grada por bizhu”.