Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ ALBANIA për Spitalin Rajonal të Beratit, ku qytetari tregon se prej tre ditësh në këtë spital po përballet me kushte të papranueshme dhe një neglizhencë të plotë nga personeli mjekësor.
Mjeku roje është paraqitur vetëm një herë, dje, dhe mjeku pneumolog nuk ka ardhur asnjëherë gjatë këtyre tre ditëve, duke lënë pacientët pa kujdes të specializuar. Familjarët janë të shqetësuar për pasivitetin dhe mungesën e ndihmës profesionale në një spital që duhet të ofrojë shërbim shëndetësor.
Një tjetër shqetësim serioz është mbulimi i pavijoneve vetëm një infermiere e cila është e detyruar të kujdeset për të gjithë pacientët e pavijonit.
Më e rëndë akoma është ajo që familjarët janë të detyruar të monitorojnë nivelin e oksigjenit, një procedurë që kërkon një specialist për t'u kryer siç duhet. Kjo është një përgjegjësi që nuk mund të jetë e pranuar dhe ka potencial të shkaktojë rrezik për jetën e pacientëve.
Kudo është papastërti dhe korridoret janë bosh, nuk ka asnjë shenjë të mjekëve apo infermierëve. Familjarët janë të hutuar dhe nuk dinë me kë të kontaktojnë apo ku të drejtohen për të marrë një përgjigje.
Denoncim për Spitalin Rajonal të Beratit
Kam një familjar të shtruar prej 3 ditësh në Spitalin Rajonal të Beratit dhe situata është skandaloze. Mjeku roje ka ardhur për herë të fundit dje dhe tani është ora 16:00, ndërsa mjeku pneumolog nuk është shfaqur fare prej 3 ditësh. Kemi pritur mjekun pneumolog ditë pas dite, por ai nuk ka ardhur. Si duhet të veprojnë pacientët që janë urgjentë? Të vdesin?
JA PRA, KËSHTU VDESIN PACIENTËT!
Në gjithë pavionin ka vetëm një infermiere. Si është e mundur që një infermiere e vetme të mbulojë një pavion të tërë? Dhe ajo nuk duket fare!
Më e rëndë akoma, oksigjenin na e kanë lënë neve, familjarëve, për ta monitoruar. Si mund ta monitoroj unë oksigjenin kur kjo është një procedurë që kërkon specialist? A e kuptojnë përgjegjësit e këtij spitali se një gabim i vogël mund t’i kushtojë jetën një pacienti?
Gjendja higjieno-sanitare është e mjerueshme: tualetet janë pis, koridoret bosh, pa mjekë e pa infermierë. Nuk dimë me kë të flasim, me kë të kontaktojmë, as kujt t’i drejtohemi për të marrë një përgjigje!
Nëse spitali nuk ofron asnjë shërbim, për çfarë arsye familjari im duhet të qëndrojë i shtruar? Këto mund t’i bëjmë edhe në shtëpi! A duhet të japim lekë në xhep që të marrim kujdesin minimal?
Kush mban përgjegjësi për këtë situatë? Çfarë hapash duhet të ndërmarrim si familjarë për të marrë zgjidhje?