Është kjo AMG-ja e bardhë e cila u bë ogur i zi i vdekjes për 4 të rinj, në një aksident tragjik të ndodhur dy ditë më parë. Në fotot e aksidentit të publikuara nga mediat, mjeti është shkrumbuar plotësisht pasi ka shpërthyer në flakë pas përplasjes me betonieren.
Aksidenti tragjik me 4 viktima tronditi mbarë vendin mesnatën e së mërkurës në Fushë-Prezë. Viktima mbetën dy vëllezërit Enejd Laçi (25 vjeç) i cili drejtonte mjetin, Erild Laçi (20 vjeç), Enrikejd Kurti (24 vjeç) dhe Andi Laçi (22 vjeç), të katërt me origjinë nga fshati Borizanë, Fushë-Krujë.
Ata po ktheheshin nga aeroporti i Rinasit, pasi Erildi sapo ishte kthyer nga Gjermania, kur fati i tyre mori një kthesë tragjike. Ky i fundit e publikonte vazhdimisht mjetin luksoz në rrjetet sociale.
Përplasja me betonieren rezultoi fatale. Brenda pak sekondash, makina u përfshi nga flakët dhe të rinjtë ngecën brenda pa mundur të dalin. Trupat e tyre të karbonizuar u nxorën nga automjeti dhe u transportuan drejt morgut të Tiranës.
Aleksandër Krrashi (24 vjeç), drejtuesi i betonieres, ka qenë pa patentë. Ai deklaroi se mjeti i tij u fik për shkak të mungesës së karburantit, teksa po hynte në rrugën kryesore. I riu ishte larguar për të marrë naftë në një pikë karburanti aty pranë, por në nxitim e sipër, kishte harruar të aktivizonte bllokazhin e betonieres dhe nuk kishte vendosur trekëndëshin e rrezikut.
Pas aksidentit, Krrashi u largua nga vendi i ngjarjes me ndihmën e kushëririt të tij, Valentin Krrashi (25 vjeç), duke shtuar edhe më shumë pikëpyetje mbi përgjegjësinë dhe neglizhencën që çuan në këtë tragjedi.
Po ashtu shkak për aksidentin e rëndë ka qenë edhe shpejtësia tej normave të lejuara, pasi në vendngjarje nuk janë gjetur shenja frenimi.