Plazhet publike po zhduken, bregdeti po u jepet privatëve çdo vit e më shumë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 22.03.2025, 14:47

Çdo vit, gjetja e një plazhi publik në bregdetin shqiptar bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi pjesa më e madhe e vijës bregdetare po kalon në duart e privatëve. Këta të fundit shfrytëzojnë hapësirat për të vendosur shezlongë, duke paguar tarifa ndaj Ministrisë së Turizmit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë tre viteve të fundit, sipërfaqja e plazheve të dhëna me kontratë për subjekte private është rritur ndjeshëm. Gjatë periudhës 2022-2024, ky proces ka marrë hov, duke kufizuar gjithnjë e më shumë hapësirat e lira për qytetarët.

Në vitin 2024, vetëm në Bashkinë Lezhë, sipërfaqja e plazheve private arriti në 74,106 m², nga 20,969 m² që ishte në vitin 2022 – një rritje prej 253%. Tendencë e ngjashme është vërejtur edhe në bashkitë e tjera ku plazhet private zënë sipërfaqe të konsiderueshme:

  • Shkodër – 64,274 m² (rritje 231%)
  • Himarë – 84,401 m² (rritje 197%)
  • Vlorë – rritje 158%
  • Sarandë – rritje 143%
  • Durrës – rritje 45%

Në total, në këto gjashtë bashki, sipërfaqja e plazheve private është zgjeruar me 132% në tre vite, nga 239,221 m² në vitin 2022 në 554,738 m² në vitin 2024. Bashkia Lezhë mban rekordin për rritjen më të lartë të privatizimit të plazheve, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e qytetarëve për të pushuar falas.

Në të gjithë vendin, numri i shezlongëve për vitin 2024 përllogaritet në 105 mijë, por pavarësisht pagesave që qytetarët detyrohen të bëjnë, shumë plazhe private nuk ofrojnë kushte të përshtatshme.

Mungesa e hapësirës për shkak të shezlongëve të vendosur shumë pranë njëri-tjetrit, muzika e lartë nga lokalet dhe hotelet, si dhe ndalimi i ushqimeve të sjella nga pushuesit i shprehur përmes tabelës së famshme "Ndalohet Termusi", janë disa nga problemet më të mëdha që shqetësojnë pushuesit gjatë sezonit veror.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit