Kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës tre personat e prangosur lidhur me aksidentin tragjik të 19 marsit në aksin Vorë-Fushë-Krujë, ku humbën jetën 4 të rinjtë Enejd Laçi, 25-vjeç Erild Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç, dhe Andi Laçi, 22 vjeç.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për shoferin e betonieres, Aleksandër Krrashi, si dhe për kushëririn e tij, Valentin Krrashi, i cili dyshohet se e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, për menaxherin e firmës “Hel-Jon”, Danjel Koxha, u dha masa e “Detyrimit për paraqitje”.
Gjatë seancës, Aleksandër Krrashi deklaroi se nuk ishte larguar menjëherë nga vendi i aksidentit dhe kishte tentuar të ndihmonte viktimat, por dera e makinës nuk hapej. Ai tha gjithashtu se kishte lajmëruar një koleg për ta ndihmuar në shuarjen e zjarrit, por ky i fundit ishte larguar nga frika e hakmarrjes.
“Nuk jam larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. U përpoqa maksimalisht t’i ndihmoj. Dera e makinës nuk hapej. Lajmërova edhe një koleg, shofer të një betonierje tjetër, që të vinte për të më ndihmuar me shuarjen e zjarrit. Më pas ai është larguar nga frika e një hakmarrjeje të mundshme", ka thënë Krrashi në gjykatë.
Edhe kushëriri i tij, Valentin Krrashi, mohoi akuzën se e kishte ndihmuar të fshihej, duke pretenduar se vetëm shkoi për t’i dhënë ndihmë, më pas e dorëzoi në Polici.
Aleksandër Krrashi, i cili ka pësuar djegie në fytyrë, akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Ai nuk ishte i pajisur me lejen e duhur për drejtimin e betonieres dhe kishte ndaluar mjetin në rrugë pa aktivizuar sinjalizimin e detyrueshëm të emergjencës në anë të autostradës.