Protestë në Kukës për rritjen e sigurisë rrugore pas aksidenteve fatale

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 22.03.2025, 10:30

Mëngjesin e kësaj të shtune, qytetarë të Kukësit dolën në protestë për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me sigurinë në rrugët e qytetit. Ata kërkuan marrjen e masave të menjëhershme për të parandaluar aksidentet, të cilat, sipas tyre, janë bërë një problem serioz.

Shkak për protestën u bë një aksident tragjik i ndodhur së fundmi, ku një 51-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet në rrugën hyrëse të qytetit, që lidh Kukësin me segmentin Kukës-Morinë të Rrugës së Kombit. Kjo zonë është e njohur për fluksin e lartë të automjeteve dhe praninë e bizneseve, ndërsa drejtuesit e automjeteve shpesh abuzojnë me shpejtësinë, duke rritur rrezikun për aksidente.

Në shenjë sensibilizimi dhe proteste, dhjetëra qytetarë bllokuan rrugën për disa minuta, duke kërkuar masa konkrete për rritjen e sigurisë rrugore. Ata paralajmëruan se nëse institucionet nuk ndërhyjnë, protestat do të intensifikohen.

Sipas raportimeve, viktima po udhëtonte me çiklomotor në mëngjesin e së premtes, kur u përplas nga një automjet, duke humbur jetën. Policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit, një 20-vjeçar, ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë veprime urgjente për të parandaluar tragjedi të tjera në rrugët e Kukësit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit