Norvegjezi padit ChatGPT pas përgjigjes së rremë për emrin e tij

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 21.03.2025, 20:06

Arve Hjalmar Holmen, një qytetar norvegjez jo publik, u përball me një përgjigje të rreme nga ChatGPT, e cila e akuzonte gabimisht për një krim të rëndë.

ChatGBT tha se ai ishte babai i dy djemve të rinj, 7 dhe 10 vjeç, të cilët u gjetën tragjikisht të vdekur në një liqen pranë shtëpisë së tyre në Trondheim, Norvegji, në dhjetor 2020.

Përgjigja vazhdoi duke pretenduar se rasti “tronditi” kombin dhe se Holmen u dënua me 21 vjet burg për vrasjen e të dy fëmijëve.

Në një ankesë drejtuar Autoritetit Norvegjez të Mbrojtjes së të Dhënave, Holmen tha se historia, megjithëse “plotësisht e rreme”, kishte disa elementë që përputheshin me jetën e tij, si vendlindja, numri i fëmijëve dhe diferenca në moshë midis djemve të tij.

“Ankuesi ishte i shqetësuar nga këto rezultate, të cilat mund të kishin efekte të dëmshme në jetën e tij private nëse ato riprodhoheshin ose zbuloheshin në komunitetin ose qytetin e tij”, thuhet në ankesën, e cila u depozitua nga Holmen dhe Noyb, një grup fushatash për të drejtat dixhitale.

Ai tha se nuk është akuzuar kurrë apo dënuar për ndonjë krim dhe është qytetar i ndërgjegjshëm.

Në ankesën e tij, Holmen pretendoi se përgjigja “shpifëse” e ChatGPT shkelte dispozitat e saktësisë të përcaktuara nga ligji evropian për mbrojtjen e të dhënave (GDPR).

Ai kërkoi nga autoriteti mbikëqyrës norvegjez që të urdhëronte OpenAI të korrigjonte modelin e saj për të shmangur informacionin e pasaktë në lidhje me të dhe ta gjobiste kompaninë.

Sipas organizatës Noyb, që nga ndërveprimi i Holmen me ChatGPT, OpenAI ka lançuar një model të ri me aftësi kërkimi në internet, duke e bërë gabime të tilla “më pak të mundshme”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit