Zona të ndryshme të kryeqytetit vijojnë të kenë nivele alarmante të ndotjes së ajrit dhe zhurmës, tej normave të përcaktuara nga BE. Shkaktarët kryesorë janë ndërtimi, trafiku i rënduar dhe kushtet atmosferike që ndikojnë në përhapjen e ndotësve.
Një raport i Institutit për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan”, bazuar në monitorime nga gushti deri në dhjetor 2024 në 13 pika të qytetit, tregon një përkeqësim të cilësisë së ajrit. Në gusht, ndotja ishte më e lartë në bulevardin qendror dhe pranë shkollës “Mihal Grameno”, ndërsa në Piramidë dhe zonën e Medresesë vlerat ishin më të ulëta. Në monitorimet e mëvonshme, ndotja u rrit ndjeshëm, duke arritur deri në 610 ppm te Pazari i Ri dhe 546 ppm te Zogu i Zi.
Sa i përket ndotjes akustike, zonat më problematike janë Pazari i Ri, kryqëzimi i 21 Dhjetorit, rruga e Kavajës dhe sheshi Italia, kryesisht për shkak të trafikut dhe aktiviteteve tregtare. Ndërkohë, Zogu i Zi rezulton zona më e qetë me nivele zhurme rreth 56-58 dB.
Ekspertët rekomandojnë një plan lokal për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe uljen e ndotjes, përmes reduktimit të emetimeve nga transporti dhe ndërtimi, shtimit të sipërfaqeve të gjelbra dhe promovimit të gjelbërimit urban.