Flet e afërmja e tre prej viktimave që u dogjën në aksident: Shoferi i betonieres mund t’i kishte ndihmuar

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 21.03.2025, 18:30

Katër të rinj humbën jetën në një aksident tragjik që ndodhi dje në Fushë-Prezë. Automjeti me të cilin po udhëtonin u përplas me një betoniere dhe shpërtheu në flakë, duke i lënë të bllokuar brenda Enejdi Laçin, Erildi Laçin, Andi Laçin dhe Enrikejd Kurtin, të cilët nuk arritën të mbijetonin.

Një familjare e tre prej viktimave nga familja Laçi ka rrëfyer se dy vëllezërit, bashkë me një shokun e tyre, kishin shkuar në aeroportin e Rinasit për të pritur kushëririn e tyre, i cili ishte kthyer nga Gjermania.

Sipas saj, në momentin e kthimit, makina e tyre u përplas me betonieren, e cila ishte ndaluar në rrugë. Ajo shtoi se të rinjtë kishin kërkuar ndihmë, por shoferi i betonieres nuk u kishte hapur derën dhe ishte larguar nga vendngjarja.

“Ne kemi këtë informacion. Andi, i cili punonte berber në Fushë-Krujë, kishte përfunduar punën në orën 22:00. Kushëriri i tij e kishte telefonuar dhe ishin bashkuar me një shok që punonte në një servis telefonash. Të gjithë së bashku vendosën të shkonin në aeroport për t’i dalë përpara vëllait të tyre, që po kthehej nga Italia. Pasi e pritën në Rinas, telefonuan prindërit për t’i njoftuar se po ktheheshin.

Katër ditë kishin që e kishin blerë makinën e re. Kur u kthyen, u përplasën me betonieren. Djemtë kanë bërtitur për ndihmë, por shoferi nuk u doli në ndihmë. Ata ishin ende gjallë brenda në makinë. Nëse ai do t’i kishte ndihmuar, nëse do të kishte përdorur ujin nga betonierea, fëmijët tanë do të ishin gjallë sot. Por në vend të kësaj, ne sot kemi katër viktima,” tha ajo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit