Bashkia e Tiranës kthehet në “fushë beteje”, shkarkohen nga detyra njerëzit e Veliajt

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 21.03.2025, 15:07

Bashkia e Tiranës duket se është shndërruar në një arenë përplasjesh gjatë dy ditëve të fundit, mes kryebashkiakut të ndaluar, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama.

Dy ditë më parë, Veliaj, përmes një firme nga qelia, tentoi të ruante kontrollin politik mbi bashkinë, duke urdhëruar shkarkimin e nënkryetares Anuela Ristani, e cila konsiderohet si një nga besniket e Ramës, dhe zëvendësimin e saj me nënkryetaren tjetër, Sara Goxhaj.

Por ky vendim u bllokua nga kryeministri, i cili, sipas raportimeve, ndërhyri personalisht, duke udhëzuar që protokolli i bashkisë të mos e pranonte kërkesën e Veliajt.

Në përpjekje për të qetësuar situatën pas tensioneve të ditës, Veliaj reagoi në Facebook, duke deklaruar se nuk kishte asnjë problem me kryeministrin. “Me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje”, shkroi ai.

Megjithatë, situata u përshkallëzua edhe më tej këtë të premte, kur Anuela Ristani, tashmë në rolin e nënkryetares në detyrë, urdhëroi shkarkimin e Sara Goxhajt dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Alban Dokushi, të cilët konsiderohen si njerëz të afërt të Veliajt. Dokushi madje e ka shoqëruar kryebashkiakun edhe gjatë paraqitjes së tij në SPAK.

Këto zhvillime sinjalizojnë se Rama ka nisur konkretisht përpjekjet për t’i marrë kontrollin Veliajt mbi bashkinë.

Nga një institucion që duhet të merret me problemet e qytetarëve, rrugë të dëmtuara, mbeturina të papastruara dhe mungesë uji në disa zona, Bashkia e Tiranës është shndërruar në një fushë beteje politike, ku vendimet ndryshojnë nga dita në ditë.

Dokumenti i shkarkimit!

Image

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit