Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast të rëndë neglizhence mjekësore nga një veteriner, i cili, sipas saj, nuk e ka kryer siç duhet operacionin e sterilizimit të qenit të saj.
Pavarësisht se ndërhyrja duhej të kishte përfunduar në dhjetor, kafsha shfaqi shqetësime disa javë më vonë, dhe në mars u konstatua se sterilizimi nuk ishte kryer plotësisht.
Pas një kontrolli me ultratinguj, rezultoi se një vezore dhe një pjesë e mitrës ishin lënë brenda trupit të kafshës, duke shkaktuar një infeksion të rrezikshëm. Kur qytetarja u përball me veterinerin për të kërkuar shpjegime, ai reagoi me arrogancë dhe kërcënime, në vend që të merrte përgjegjësinë për gabimin e tij profesional.
Qytetarja shpreh shqetësimin e saj të madh jo vetëm për qenin e saj, por edhe për faktin se ky veteriner punon në një institucion shtetëror dhe kujdeset për kafshët e një kopshti zoologjik.
Më poshtë, sjellim denoncimin e saj të plotë:
“Përshëndetje JOQ, kërkoj mbështetjen tuaj për këtë rast paaftësie!
Më ka ndodhur një situatë me një veteriner i cili punon në shtet dhe ka edhe klinikën e tij personale. Në dhjetor çova qenin për sterilizim, pati shqetësime në janar, por u kalua si një problem stomaku. Tani në mars, qenit filloi t’i vinte cikli dhe e çova tek ‘Vet Hospital’ për një eko. Nga ekoja rezultoi se vezorja e majtë ishte e plotë dhe e lënë aty, bashkë me një pjesë nga mitra, të cilat kishin filluar të infektoheshin.
Doktori në fjalë, në vend që të merrte përgjegjësitë e plota, u acarua dhe u tregua shumë arrogant duke ironizuar dhe kërcënuar. Ai quhet Ariel V. dhe ka klinikën AB Veterinary Clinic. Jam shumë e shqetësuar, pasi ky mjek punon edhe në kopshtin zoologjik dhe kujdeset për kafshët atje!
Shpresoj në bashkëpunimin tuaj, sidomos për njerëz që nuk janë njerëz!
Kjo është një audio e fillimit të bisedës, ku është e qartë mënyra e komunikimit nga ana e doktorit. Kur e pyeta: ‘Sa e vështirë është të mos shohësh një vezore?’ dhe ‘Sa i vështirë është një operacion sterilizimi?’, ai u përgjigj me arrogancë: ‘Ku punon ti? Veteriner je ti? Shumë i vështirë!’
Pyetja ime është: ‘Kur dihet që operacioni i sterilizimit përfshin heqjen e dy vezoreve dhe mitrës, si është e mundur që nuk e kuptoi që nuk i kishte hequr të dyja?’
Dhe shqetësimet që ka pasur qeni im, White, pas operacionit, ai as që i mori parasysh. Pa u shqetësuar aspak për faktin se qeni do të futej në narkozë totale për herë të dytë brenda një kohe shumë të shkurtër, unë duhet të firmosja një letër përgjegjësie – letër që tek ai nuk më është kërkuar fare në operacionin e parë.
Unë shpëtoj kafshë nga rruga dhe paguaj para për neglizhenca mjekësore, jo për operacione që më duhet t’i ribëj për së dyti. Përgjigjja e doktorit? ‘Janë gabime njerëzore!’”
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi profesionalizmin e disa veterinerëve në vend dhe mbi mbikëqyrjen që institucionet përgjegjëse duhet të kenë ndaj shërbimeve të ofruara për kafshët. Çfarë mendoni ju, a duhet të hetohet ky rast nga autoritetet?