Meme e gatshme: Këshilli i Lartë Gjyqësor manipulon tenderin me garues fiktiv

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.03.2025, 21:24

Këshilli i Lartë Gjyqësor, institucioni që duhet të garantojë integritetin dhe profesionalizmin e sistemit gjyqësor, ka dhënë një shembull të shkëlqyer sesi këto vlera mund të zbatohen… në mënyrën më krijuese të mundshme!

Në tenderin për “Shërbim mirëmbajtje i sistemit audio-video dhe përkthim simultan i sallës së trajnimeve KLGJ”, fitues është shpallur kompania Fredi Electronic sh.p.k, në pronësi të Alfred Kasmit, me një ofertë prej 3,971,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 48 milionë lekë të vjetra me TVSH. Fondi limit për këtë tender ishte 4,601,667 lekë të reja apo rreth 55 milionë lekë të vjetra me TVSH, çka do të thotë se fituesi mori 86.3% të fondit limit – një përqindje e përsosur për të ngritur shumë dyshime.

Në garë ishin dy kompani, por, ç’të shohësh! Njëra prej tyre kishte “harruar” të jepte një ofertë financiare, duke vendosur një vlerë simbolike: zero lekë. Kështu, si me magji, Fredi Electronic mbeti i vetmi që kishte bërë një ofertë reale dhe, natyrisht, fitoi tenderin. Rregullat e lojës janë të thjeshta: nëse nuk ka garë, atëherë nuk ka as problem, apo jo? Sipas dokumentave, tenderin e ka dhënë vetë drejtuesi i këtij institucioni, kryetari Ilir Rusi.

Ironia më e madhe është se vetë KLGJ-ja mburret me vlerat e integritetit dhe profesionalizmit, por përfundon duke organizuar tendera ku konkurrenca është aq reale sa edhe premtimet elektorale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit