Fermerët në Maliq mbrojnë prodhimet me tym e zjarr, qeveria i lë në mëshirë të fatit

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 20.03.2025, 19:15

Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë juglindjen e vendit kanë shkaktuar dëme të mëdha në pemët frutore. Temperaturat kanë arritur deri në –7 gradë Celsius, duke kërcënuar mbi 600 hektarë me drufrutorë, kryesisht qershi, kumbulla dhe pjeshke.

Për të parandaluar dëmtimet, fermerët kanë përdorur metoda tradicionale, si ndezja e zjarreve, për të krijuar një mbrojtje nga acari. Dritan Rukaj dhe Arian Cenkollari, fermerë nga fshati Leminot i Maliqit, janë të detyruar të rikthehen tek kjo metodë për të shpëtuar kumbullat e hershme që kanë mbjellë.

“Sivjet kushtet atmosferike na kanë besuar nuk e kemi pritur këtë kohë e tani me mjetet tona me tym mundohemi t’i mbrojmë. Me sa kemi dëgjuar që kjo i mbron, të shohim, mundohemi. Unë nuk mbaj mend në këtë kohë të ketë patur të tilla temperatura. Po vazhdoi kështu do kemi goxha dëmtime në pemët që kanë çelur“,-tha fermeri Dritan Rukaj.

“Për shkak të temperaturave në Korçë ne kemi marrë masa të shpëtojmë drufrutoret në lulëzim e sipër. Kemi marrë materiale për të ndezur zjarr e do e mbajmë me tym gjithë natën sa të kemi mundësi, ne do bëjmë tonën, natyra të sajën. Të paktën 50% ta shpëtojmë. Kjo është e vetmja mënyrë artificiale për të ndërhyrë në këto raste, është e njohur e praktikuar në zonën tonë “,-tha fermeri Arian Cenkollari.

Në qarkun e Korçës, ka rreth 4200 hektarë me drufrutorë, ku pjesa më e madhe është e mbjellë me mollë, kumbull dhe qershi, këto të fundit janë ato që rrezikohen më shumë nga temperaturat e ulëta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit