Pasi sfidoi Ramën nga qelia, Veliaj zbythet për 24 orë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.03.2025, 19:15

Situata brenda Bashkisë së Tiranës mori përmasa të çditshme 24 orët e fundit pas një vendimi të befasishëm të kryebashkiakut në detyrë, Erion Veliaj, për të rideleguar kompetencat brenda institucionit.

Me një firmë të hedhur nga qelia e burgut të Durrësit, Veliaj shkarkoi nënkryetaren Anduela Ristani dhe emëroi në vend të saj Sara Goxhajn, e cila sipas mediave është bashkëjetuesja e Alban Dokushit, sekretarit të përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës. Ky veprim u pa si një përpjekje për të sfiduar Edi Ramën dhe për të rikthyer kontrollin mbi bashkinë, por nuk zgjati më shumë se një ditë.

Vendimi i Veliajt shkaktoi menjëherë tensione të forta politike brenda institucionit. Kryeministri, i cili pas arrestimit të Veliajt kishte vendosur si drejtues de facto të bashkisë nënkryetaren Anduela Ristani, e pa këtë lëvizje si një rebelim të hapur. Reagimi nuk vonoi: Veliaj u detyrua të tërhiqej publikisht me një mesazh në Facebook, duke e cilësuar vendimin e tij si një “ide të gabuar”. Në statusin e tij, ai shprehu “mall dhe respekt” për Ramën, një deklaratë që la të kuptohet qartë se sfida e tij kishte dështuar.

Ndërkohë, tensionet u përshkallëzuan edhe brenda policisë bashkiake, ku dy grupime të ndryshme nisën të ndjekin urdhra të kundërta: njëra palë ishte besnike ndaj Veliajt dhe kërkonte të ndalonte hyrjen e Anduela Ristanit në bashki, ndërsa pala tjetër, besnike ndaj Ramës, nuk lejonte hyrjen e Sara Goxhajt. Për disa orë, bashkia u kthye në një fushëbetejë politike, me militantë të dy grupeve që u përplasën për kontrollin e institucionit.

Në fund, Rama vendosi dominimin e tij, duke përdorur mekanizmat shtetërorë për të neutralizuar çdo tentativë për pavarësi nga Veliaj. SPAK e përforcoi më tej pozitën e kryeministrit duke i shtuar Veliajt një akuzë të re për “futjen e sendeve të paligjshme në qeli”, pas raportimeve se ai kishte përdorur telefonin e një polici në furgon. Me këtë lëvizje, u bë e qartë se Veliaj nuk kishte më asnjë hapësirë për të manovruar.

Përfundimi ishte i pashmangshëm: Veliaj, i izoluar dhe pa mbështetje, u detyrua të tërhiqej me një deklaratë të butë, duke riafirmuar besnikërinë e tij ndaj Ramës dhe duke treguar se në këtë betejë pushteti qendror mbizotëroi ndaj ambicieve të tij. Kjo histori dëshmon edhe një herë se në politikën shqiptare, asgjë nuk ndodh pa pëlqimin e liderit kryesor.

Reagimi i Veliajt: "U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje. E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit