Një aksident tragjik ka ndodhur në Bulqizë, ku një 59-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas nga një makinë ndërsa po lëvizte në këmbë pranë “Urës së Vocit”.
Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 15:50, kur drejtuesi i mjetit, 64-vjeçari S.H., banues në Fushë-Bulqizë, humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke goditur këmbësoren H.M., e cila humbi jetën në vendngjarje.
Shoferi është shoqëruar nga autoritetet, ndërsa hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Bulqizë/ Informacion paraprak
Rreth orës 15:50, në vendin e quajtur “Ura e Vocit”, Bulqizë, shtetasi S.H., 64 vjeç, banues në Fushë-Bulqizë, duke drejtuar automjetin e tij, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke aksidentuar këmbësoren, shtetasen H.M., 59 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.