Kanë nisur sot ceremonitë e përbashkëta mortore të tragjedisë së Koçanit në Maqedoninë e Veriut ku 59 njerëz, kryesisht të rinj vdiqën, dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e një zjarri në një klub nate në orët e para të 16 marsit.
Trupat e të vdekurve do të varrosen në pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë Koçanin, Shtipin, Shkupin, Strumicën dhe fshatin Obleshevë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut këshilloi institucionet lokale dhe punëdhënësit e sektorit privat t’i lirojnë të gjithë të punësuarit në territorin e Koçanit nga detyrat e punës për ditën e varrimit.
Kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, kryepeshkopi Stefan, ka bërë thirrje për unitet dhe lutje pas tragjedisë shokuese në Koçan.
Qeveria maqedonase ka shpallur shtatë ditë zie ndërsa është zotuar për hetim të shpejtë dhe të plotë të tragjedisë.
Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu papritur duke shkrumbuar në çatinë e ndëtesës, teksa një grup muzikor po performonte.
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi të mërkurën se 64 të plagosur të tragjedisë po mjekohen në institucionet publike shëndetësore në vend, dhe janë në gjendje relativisht të qëndrueshme, 13 të tjerë janë duke u mjekuar në objektet shëndetësore private dhe 101 pacientë po mjekohen jashtë vendit.