Në një përpunim realist të shifrave të turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga ekspertë të brendshëm të fushës, thuhet se numri i vizitorëve është të paktën 25% më i ulët se ai i trumbetuar nga qeveria.
Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa ka thënë së fundi se në shifrat e zyrtarëve të ‘rritjes së turizmit’ përfshihen mes të tjerave dhe qytetarë të Kosovës e Maqedonisë së Veriut që hyjnë në Shqipëri për të përdorur aeroportin e Rinasit, ose që kalojnë për të arritur në destinacionet turistike të Malit të Zi.
Agjencia e statistikave INSTAT ka thënë se 11.7 milionë turistë kanë vizituar Shqipërinë në 2024 por eksperti thotë se mes tyre përfshihen tre kategori vizitorësh që nuk duhen llogaritur si turistë.
Kategoria e parë janë udhëtarët tranzit me pasaporta të huaja, të cilët shfrytëzojnë vendin tonë si rrugë tokësore, ajrore dhe detare dhe më pas udhëtojnë drejt vendeve të tyre, pa konsumuar asnjë natë fjetje në Shqipëri. Ata regjistrohen si në hyrje ashtu edhe në dalje në Pikat e Kalimit Kufitar janë qytetarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që udhëtojnë drejt Evropës apo nga Europa me mjete individuale ose autobusët e linjave, të cilët përafërsisht llogariten në rreth 1.5 milionë udhëtarë në vit.
Grupi i dytë janë qytetarët e vendeve kufitare, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që shfrytëzojnë Aeroportin e Rinasit për shkak të ofertave low-cost me të cilat është stimuluar Shqipëria, që përafërsisht llogariten në rreth 500 mijë.
Ndërsa grupi i tretë janë qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia që shkojnë për pushime në Mal të Zi. Sipas të dhënave kanë qenë rreth 200 mijë persona shkojnë për pushime veçanërisht në Ulqin, që shpesh llogariten dy herë, si në vajtje ashtu edhe në ardhje, duke arritur në rreth 400 mijë.
Gjithashtu një numër i konsiderueshëm vizitorësh të huaj hyjnë në Shqipëri ose turistë të huaj lëvizin nga Shqipëria për ekskursione, të cilët kthehen brenda ditës dhe regjistrohen si turistë. Numri më i madh i këtyre hyrje-daljeve rezulton në Sarandë dhe në Muriqan, por nuk mungojnë edhe në pika të tjera, si Qafë Thanë, Kakavijë, Kapshticë, etj.
Gjithashtu, turistët që kanë ardhur për pushime në plazh dhe që shkojnë në mënyrë të organizuar ose individuale për ekskursione në Ohër, Mal të Zi dhe Kosovë, kthehen brenda ditës në hotelin e rezervuar për pushime në plazh (që përafërsisht llogariten në rreth 500 mijë).
Eksperti shton se në shifrën prej 11.7 milionë turistësh që është publikuar për vitin 2024, në fakt duhej të përcaktohej si 11.7 milionë hyrje ose prezencë turistike, dhe këtij numri duhet t’i zbriten rreth 3 milionë tranzitime ose ekskursione ditore, të cilët nuk duhen llogaritur si turistë.
Kjo praktikë numërimi shihet dhe në vende rajonale, që sipas madhësisë së vendit, numri i turistëve të huaj në raport me numrin e ‘prezencës turistike’ varion nga 33 deri në 60% të numrit të vizitorëve në total.
Kroacia për shembull raporton 60 milion udhëtarë të huaj, nga të cilët vetëm 20 milion janë turistë, ashtu si dhe Greqia, që raporton 55 milion vizitorë të huaj, nga të cilët vetëm 32 milion janë turistë.
Duke ndjekur të njëjtën praktikë, del se rreth 32% e numrit të raportuar nga INSTAT janë prezencë turistike dhe jo turistë realë.
Konkretisht, nga 8 milionë turistë realë rreth 4 milionë janë turistë me kombësi shqiptare (nga Kosova, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Anglia, SHBA, etj.).
Ndërsa rreth 4 milionë janë turistë me kombësi dhe shtetësi të huaj, nga të cilët rreth 40% kanë fjetur në akomoidime Airbnb, bujtina, guest house, etj.
Dy vitet e fundit ka pasur gjithashtu një rritje të ndjeshme të turistëve që vijnë në mënyrë individuale, ku shumica prej tyre janë akomoduar nëpër Airbnb, duke rritur ndjeshëm numrin e shtretërve. Vetëm Tirana ka arritur në rreth 4,500 shtretër në shtëpitë pritëse, të cilat kanë rezultuar të shfrytëzuara me një kapacitet prej 90%. Kjo pasi tashmë është fakt se Tirana është kthyer në një destinacion gjithëvjetor (por duhet të mos harrojmë edhe faktin që kjo po ndikon në konkurrencën e pandershme në sektorin e akomodimeve), shton eksperti mes të tjerash.