Erion Veliajt i shtohet një akuzë e re penale

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.03.2025, 14:11

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u thërrit ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ku u mor në pyetje lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj tij nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Ai la qelinë e paraburimit në Durrës ku po mbahet prej datës 12 shkurt, dy ditë pas arrestimit të tij, dhe udhëtoi drejt kryeqytetit për të dhënë shpjegime. Por gjatë marrjes në pyetje, atij i është konfirmuar një akuzë e re, ajo e “futjes së sendeve të paligjshme në burg”.

Akuza është ngritur pas disa përgjimeve telefonike, ku rezulton se në datën 13 mars, kur Veliaj po sillej nga Durrësi në sallën e GjKKO-së për gjyqin e apelit, i ka marrë telefonin një oficeri të policisë dhe me të ka kryer telefonata. Prokurorët e kanë konsideruar vepër penale faktin që Veliaj ka përdorur një send të ndaluar në automjetin që po udhëtonte, pasi konsiderohej sikur të ishte në qeli.

Për këtë nisi një hetim edhe për punonjësit e burgjeve, njëri prej të cilëve ka pranuar që i ka dhënë telefonin, duke shtuar se këtë veprim e ka bërë nga frika.

Kjo është hera e parë që kryebashkiaku merret në pyetje nga hetuesit që pas arrestimit të tij, teksa më herët Veliaj i ka kundërshtuar përgjimet që i janë bërë, duke i konsideruar të jashtëligjshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit