Zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit janë shoqëruar me një vëmendje të madhe, jo vetëm nga kryeministri Edi Rama, por edhe nga drejtuesit e bashkive në mbarë vendin. Në disa takime të zhvilluara me ta, kreu i qeverisë ka dhënë udhëzime për mënyrën se si duhet të veprojnë në prag të këtij procesi.
Një denoncim lidhur me përpjekjet për të siguruar votat me çdo kusht vjen nga Roskoveci, ku kryetarja e bashkisë, Majlinda Bufi, ka intensifikuar përpjekjet në terren për të përmbushur disa kërkesa të kahershme të qytetarëve.
Një nga çështjet që ka shqetësuar prej vitesh banorët e zonës është legalizimi i banesave. Me afrimin e zgjedhjeve të 11 majit, duket se ky problem po merr zgjidhje. Në një postim në rrjetet sociale, Bufi ka njoftuar se 90 banesa do të pajisen me certifikatat e pronësisë.
“Mirëmëngjes, me lajmin se rreth 300 dosje janë plotësuar me elementët e duhur nga grupet e terrenit dhe për gati 90 banesa janë gjeneruar Vendimet e Legalizimeve/Çertifikatat e Pronësisë në njësitë Roskovec e Strum, ju uroj një ditë të bukur,” ka shkruar ajo.
Megjithëse Kadastra është një institucion i pavarur, Bufi deklaron e bindur se banesat do marrin certifikatën e pronësisë. Ky lajm vjen në një periudhë kur ndodhemi më pak se 50 ditë para zgjedhjeve, në kundërshtim me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka ndaluar shpërndarjen e certifikatave të pronësisë në këtë periudhë për të shmangur ndikimin në zgjedhje.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse institucionet do të ndërhyjnë ndaj këtij veprimi të kryebashkiakes, e cila më herët është kallëzuar në SPAK për "Shpërdorim detyre" dhe "Kërcënime ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje", pasi u denoncua në media për kërcënimet me vendin e punës që i bënte një sanitareje që kishte marrë pjesë në një miting të opozitës.
SPAK ka ngritur një “Task-Forcë” për të hetuar krimet zgjedhore, por ende nuk dihet nëse kjo strukturë do të marrë masa për këtë rast.