Një aksident tragjik ndodhi në mesnatë në Fushë-Prezë, në aksin Fushë Krujë – Vorë ku 4 të rinj humbën jetën.
Enejdi Laçi, Erildi Laçi (vëllezër), Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi, po udhëtonin me një mjet tip "Benz" me impiant benzinë-gaz, kur u përplasën me një betoniere anës rrugës.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, por ajo çfarë shqetëson qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve është lëvizja e betoniereve, që duhet thënë janë shtuar shumë në numër kohët e fundit, bashkë me ndërtimet.
Ditën e djeshme JOQ ALBANIA denoncoi një betoniere që lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara në aksin Kavajë-Rrogozhinë, duke u bërë burim aksidenti për drejtuesit e tjerë.
Por përveç shpejtësisë, një problem tjetër me të cilin përballen qytetarët janë edhe kushtet e betoniereve ku disa prej tyre jashtë çdo standardi. Një qytetar ka denoncuar së fundmi në redaksinë tonë një betoniere e cila lëviz pa drita në rrugë.
Ai ka treguar se këtë denoncim e ka bërë edhe në polici, pasi është e turpshme dhe e pa lejueshme kurrsesi që një mjet të lëvizë pa drita në rrugë, duke u bërë burim aksidenti dhe rrezikuar jetën e drejtuesve të tjerë.
Ai u bën thirrje të gjitha firmave të ndërtimit, por edhe drejtuesve të betoniereve e mjeteve të tonazhit të rëndë, të jenë më të kujdesshëm dhe përgjegjshëm në rrugë duke menduar se rruga nuk është private e tyre.