Çmimet e vezëve në Shtetet e Bashkuara janë bërë temë e diskutimeve të nxehta politike, pasi konsumatorët po përballen me çmime deri në 8 dollarë për një karton vezësh.
Presidenti Donald Trump kishte premtuar vitin e kaluar se do të ulte menjëherë çmimet e ushqimeve, duke theksuar se veçanërisht vezët ishin rritur me 46%. Megjithatë, çmimet kanë vazhduar të rriten për shkak të kërkesës së lartë, inflacionit dhe gripit të shpendëve që ka prekur miliona pula.
Trump ka premtuar gjithashtu të ndalojë trafikimin e drogës dhe fentanilit në SHBA nëse rizgjidhet president, por aktualisht duket se problemi me vezët është më i madh se ai me fentanilin.
Sipas Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA (CBP), në vitin 2025 janë kapur mbi 3200 raste të kontrabandës së vezëve në kufirin amerikan, ndërkohë që vetëm 134 raste të fentanilit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se janë sekuestruar 5938 produkte me vezë dhe 1631 paund fentanil që po përpiqeshin të futeshin në SHBA.
Për shkak të rritjes së kontrabandës, autoritetet amerikane kanë paralajmëruar qytetarët që importimi i vezëve të freskëta nga Meksika është i ndaluar, për shkak të rrezikut të përhapjes së gripit të shpendëve.
Rritja ekstreme e çmimeve ka bërë që shumë amerikanë të kërkojnë alternativa të reja, siç është marrja e pulave me qira për të prodhuar vetë vezët e tyre.
Në Goffstown, New Hampshire, një shërbim i quajtur "Rent The Chicken" u ofron qytetarëve mundësinë të marrin me qira dy pula për gjashtë muaj me një kosto prej rreth 600 dollarësh. Në këmbim, ata mund të sigurojnë rreth një duzinë vezësh çdo javë.
Gjithashtu, shumë pronarë pulash kanë filluar të shesin vezët e tyre në Facebook, duke ofruar alternativa më të lira për konsumatorët që nuk mund të përballojnë çmimet e dyqaneve.
Sipas Departamentit të Bujqësisë së SHBA, çmimet e vezëve pritet të rriten me 41% gjatë këtij viti, duke e bërë këtë problem edhe më të madh për familjet amerikane.