Ekspertët thonë se të bërit seks rregullisht jo vetëm që sjell lumturi, por edhe përmirëson shëndetin mendor dhe fizik. Megjithatë, një studim i fundit ka zbuluar se shumë njerëz po heqin dorë nga kjo praktikë.
Sipas një ankete nga kompania e lodrave të seksit "The Handy", gati një në pesë persona mbi moshën 18 vjeç nuk kryejnë marrëdhënie seksuale fare.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor, duke rritur nivelet e ankthit dhe depresionit. "Shtypja e dëshirave seksuale, pa alternativa të tjera për të çliruar stresin, mund të çojë në frustrim dhe të përkeqësojë ankthin apo nervozizmin," shpjegon Dr. Sham Singh, specialist i shëndetit seksual dhe psikiatër.
Gjithashtu, mungesa e seksit mund të ndikojë në vetëbesimin dhe të shkaktojë ndjenja të turpit nëse diskutohet me miqtë, duke shtuar më tej stresin emocional.
Sipas ekspertëve, seksi ndihmon në përmirësimin e shëndetit të zemrës, uljen e stresit dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit, falë çlirimit të endorfinës.
Nga ana tjetër, mungesa e aktivitetit seksual për një kohë të gjatë mund të shkaktojë tension të muskujve, probleme me përqendrimin dhe një ndjeshmëri të shtuar ndaj prekjes. Për më tepër, mund të ulë nivelin e energjisë dhe oreksin.
Një studim i vitit 2023, i publikuar në "Journal of Sexual Medicine", zbuloi se gratë mes moshës 20 dhe 59 vjeç, të cilat kryenin marrëdhënie seksuale më pak se një herë në javë, kishin një rrezik më të lartë për një vdekje të parakohshme. Shkak për këtë ishte një proteinë e cila lidhet me inflamacionin dhe mund të dëmtojë indet dhe organet e shëndetshme.
Një studim nga "NapLab" tregoi se amerikanët, mesatarisht, kryejnë marrëdhënie seksuale vetëm një herë në muaj.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e mbajtjes së një jete seksuale aktive për një shëndet më të mirë, si fizik ashtu edhe mendor. Me statistikat aktuale, shumë njerëz mund të përballen me pasoja negative të cilat mund të shmangen lehtësisht duke pasur një jetë seksuale më të rregullt.