Në fshatin Mihaj të Koplikut janë gjetur sasi të mëdha mbetjesh spitalore të hedhura mes mbetjeve urbane dhe të mbuluara me dhe për të fshehur gjurmët.
Ndërhyrja e autoriteteve nisi rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur inspektorët e IKMT-së mbërritën në vendngjarje dhe vendosën shirita sigurie, duke e cilësuar mbulimin e mbetjeve si shkelje ligjore.
Policia, e cila kishte qenë përgjegjëse për ruajtjen e zonës deri në atë orë, mohoi që mbetjet të ishin mbuluar, por pranoi se rasti ishte referuar në prokurori.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe fillimisht pranoi se mbetjet ishin mbuluar për të parandaluar përhapjen e tyre, por më pas mohoi përfshirjen e institucionit.
Drejtori i Spitalit të Malësisë së Madhe u distancua nga çështja, duke deklaruar se spitali ka një kontratë me një kompani për menaxhimin e mbetjeve dhe se sasia e mbetjeve që prodhon është shumë e vogël.
Për këtë shkelje mjedisore, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka marrë masa administrative dhe ka gjobitur Bashkinë e Malësisë së Madhe.
Ndërkohë, çështja është referuar në prokurori për hetime të mëtejshme mbi përgjegjësit e kësaj ndotjeje të rëndë.