Bashkia Fier, e drejtuar nga Armando Subashi, ka shpallur së fundmi fituesin e tenderit me objekt "Blerje (furnizim/vendosje) materialeve të nevojshme për rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të brendshme dhe shesheve të Bashkisë Fier".
Procedura e hapur, me numër reference REF-35889-01-23-2025, kishte një fond limit prej 249,470,651.69 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 3 milionë euro me TVSH. Kompania fituese, G.P.G. COMPANY, në pronësi të Paqsor Buzit dhe Gëzim Danit, ofroi një vlerë prej 165,098,873 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 2 milionë euro me TVSH.
Sipas dokumenteve të tenderit, një kompani tjetër pjesëmarrëse kishte ofruar një shumë rreth 250 mijë euro më pak se G.P.G. COMPANY, por kjo ofertë nuk u mor parasysh. Ky fakt ngre dyshime mbi transparencën dhe drejtësinë e procesit të prokurimit.
Paqsor Buzi është një biznesmen i njohur në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Kompania e tij, G.P.G. COMPANY, e themeluar në vitin 1996 dhe me seli në Lushnje, ka fituar një numër të konsiderueshëm tenderash publikë gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të disponueshme, nga viti 2019 deri në vitin 2025, G.P.G. COMPANY ka fituar tendera pa fund me vlerë totale mbi 145 milionë euro.
Përtej këtyre shifrave astronomike, në vitin 2024 Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi shkelje në një tender të Bashkisë Durrës, ku G.P.G. COMPANY ishte pjesë e një bashkimi operatorësh ekonomikë. Por vetëm kaq. Asgjë nuk ka ndodhur dhe Paqsor Buzi vazhdon të gllabërojë si pa të keq paratë publike të shqiptarëve.