Një protestë paqësore kundër fabrikës së Alban Zusit në Lezhë ka përfunduar në dhunë, kur Policia Bashkiake sulmoi protestuesit. Ata, të cilët mbajtën parullën “Na morët frymën” dhe ishin në pritje të kryeministrit Edi Rama, u goditën dhe tre prej tyre u shoqëruan nga policia.
"Me parullën tonë 'Na morët frymën' shkuam paqësisht në mitingun e Partisë Socialiste, ku na thanë se do të ishte Edi Rama, të cilin duam ta takojmë prej kohësh. Mbajtëm distancën dhe qëndruam në heshtje. Na u sulën me forcë Policia Bashkiake, duke gjuajtur djemtë tanë. Tre prej tyre u shoqëruan nga policia," shkruan një prej protestuesve.
Fabrika e Alban Zusit, e njohur për përpunimin e mbetjeve shtazore, ka nisur aktivitetin e saj në janar 2020 dhe është bërë një burim shqetësimi për banorët e zonës në Lezhë. Sipas banorëve, fabrika shkarkon materiale që lëshojnë një aromë të fortë dhe të pakëndshme, e cila përhapet në të gjithë zonën, veçanërisht gjatë verës, kur situata bëhet më e rëndë. Licenca e dhënë nga Ministria e Ekonomisë parashikon lëshimin e aromave, por siguron përdorimin e detergjentëve për të zvogëluar ndikimin e tyre. Megjithatë, banorët janë të shqetësuar për efektet e mundshme negative, pasi shpërndarja e mbetjeve kalon në lumin Drin dhe ndikon në mjedisin përreth.