Drejtuesit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ndërrohen çdo vit, por siguria ushqimore dhe cilësia e produkteve të konsumit mbeten në nivele alarmante.
Një qytetare nga Shkodra ka denoncuar në redaksinë tonë cilësinë e produkteve ushqimore në rrjetin e marketeve "Xhe Dis" në këtë qytet. Ajo ka treguar me foto se si në frigoriferët e marketit që ndodhet pranë spitalit, ekspozohet e shitet sallam i mykur, edhe pse i ambalazhuar e mbyllur.
Ky incident ka shqetësuar qytetaren pasi produktet ushqimore me myk, të skaduara apo me baktere, mund të shkaktojnë pasoja të rënda për shëndetin.
Ajo i bën thirrje Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të ndërhyjë dhe të realizojë inspektime të menjëhershme në të gjitha supermarketet dhe dyqanet ushqimore për të siguruar se produktet që shiten e hidhen në treg janë të sigurta për konsum, pasi ka dyshime se drejtuesit/menaxherët e marketeve fikin gjatë natës frigoriferët për të mos shpenzuar energji elektrike.
Qytetarja i kërkon AKU-së, me në krye tanimë Olsi Komicin, kandidat i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, që të marrë masat përkatëse dhe të sigurojë që një situatë e tillë të mos përsëritet, duke mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve. Ajo thotë se kjo lloj neglizhence nuk mund të tolerohet, pasi jeta e qytetarëve është në rrezik.
Duhet thënë se AKU edhe pse një prej institucioneve më të rëndësishme zyrtare e me më shumë përgjegjësi, me kohën ka treguar se drejtorët i ka vetëm për figurë dhe si shpërblim për punët që i bëjnë Ramës.
Mesazhi i qytetares:
Pershendetje JOQ, I bej thirrje AKU te nderhyjne menjehere pasi keshtu po na rrezikohet jeta e te gjitheve. Shikoni sallamin e mykur ne supermarket xhedis ne shkoder te spitalet.