Një ngjarje e paprecedentë është raportuar në malin e Dajtit, ku dhjetëra dosje me dokumente sekrete dhe blloqe gjobash janë djegur pjesërisht dhe plotësisht.
Dëshmitarët e kësaj ngjarje në Qafën e Priskës, raportojnë se dokumentet, që kanë numra protokolli dhe informacione të ndjeshme i përkasin Ministrisë së Brendshme dhe brenda tyre ka edhe emra inspektorësh.
Një pjesë e madhe e dokumenteve është djegur, por disa copa kanë mbetur të paprekura, duke ngritur shumë pyetje për autorët e kësaj veprimtarie dhe shkaqet e saj.
Qytetarët që i kanë gjetur thonë se këto dokumente kanë materiale të rëndësishme që lidhen me operacione të brendshme dhe procedura të Ministrisë së Brendshme. Ata kanë dyshime se persona që mund të kenë qenë ose janë të pafajshëm, mund të kenë përfunduar në burg për shkak të këtyre dokumenteve.
Ky incident ngre shqetësime të mëdha për sigurinë e informacionit dhe të dhënave zyrtare që Ministria e Brendshme ka për shqiptarët, pasi nuk dihet nëse kanë rënë në duart e personave të gabuar, apo janë tjetërsuar qëllimisht nga ky institucion zyrtar.
Edhe nëse dokumentet zënë raftet apo sirtarët e Ministrisë, Komisariateve apo zyrave shtetërore, djegia e tyre përbën krim pasi është haptazi shkatërrim i deklaratave dhe dëshmive të dokumentuara që mund të kenë vlerë juridike dhe hetimore.
Autoritetet duhet të hetojnë me urgjencë për të zbuluar se kush është përgjegjës për këtë akt dhe për të siguruar që ngjarja të mos mbetet pa pasoja ligjore.
Mesazhi i qytetarit:
Përshëndetje! Keto jane documente sekrete dhe bllok gjobash, pjeserisht jane djegur, vendodhja qafa e malit te Dajtit, emrat e inspektorve sheshit. Nuk e di kush i ka djegur por i pash rastesisht. Ishin me numra protokolli, dokumente serioze. Qafa e Priskës. Kane djegur shume ata por pjeserisht copa copa kane mbetur. Kane djegur thuajse gjithë dokumentet e ministris së brendshëme Njerzit kane shkuar ne burg mbase dhe pa faj , ata i kan djeg ske ku i gjen më