Orientimi në karrierë është një proces thelbësor që ndihmon të rinjtë të marrin vendime të mirëmenduara për të ardhmen e tyre profesionale, bazuar si në aftësitë dhe interesat e tyre, ashtu edhe në tendencat e tregut të punës. Megjithatë, në vendin tonë, duket se ky aspekt nuk është një pikë e fortë e institucioneve arsimore, duke e lënë këtë proces të paorganizuar dhe joefektiv.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i fokusuar tek “Orientimi për Karrierë i të Rinjve në sistemin arsimor parauniversitar”, tregon se institucionet përgjegjëse, nga Ministria e Arsimit deri te organet më periferike, nuk kanë qenë shumë efektive në këtë drejtim. Sipas raportit, mungesa e strukturave të dedikuara brenda këtyre institucioneve ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe organizimin e procesit të orientimit për karrierë.
Në organikën dhe strukturën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e miratuar me Urdhrin e Ministrit, nuk ekzistojnë njësi të posaçme për orientimin e karrierës, dhe kjo mungesë reflektohet edhe në rregulloren e brendshme të institucionit. Gjithashtu, raporti thekson se në institucionet e varësisë, si Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të arsimit, nuk ka struktura të dedikuara për këtë proces. Për pasojë, orientimi për karrierë është deleguar si detyrë shtesë për punonjës të ndryshëm, pa qenë pjesë e përshkrimit të tyre të punës, gjë që ka krijuar mbingarkesë dhe ka ulur efikasitetin e procesit.
Në shkollat e arsimit të mesëm të lartë, mungojnë struktura të posaçme për administrimin e orientimit në karrierë, ndërsa në arsimin e mesëm të ulët ky proces ka filluar të institucionalizohet vetëm pas daljes së Urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit nr. 600, datë 19.10.2023.
Mungesa e orientimit nis që në shkolla
Një nga problemet kryesore të orientimit në karrierë është se mungesa e tij nis që në shkolla. Nxënësit përballen me mungesën e informacionit dhe këshillimit të duhur që nga arsimi bazë, çka i lë ata të papërgatitur për zgjedhjet e mëvonshme akademike dhe profesionale. Në shumë raste, zgjedhjet e tyre bëhen mbi baza të pasigurta ose ndikohen nga faktorë të jashtëm si prindërit, shoqëria apo perceptimet e gabuar për tregun e punës. Një sistem arsimor që nuk i udhëzon nxënësit drejt karrierës së duhur krijon një hendek mes formimit akademik dhe kërkesave të tregut të punës, duke ndikuar në rritjen e papunësisë dhe pakënaqësisë profesionale në të ardhmen. Për këtë arsye, është e domosdoshme që shkollat të integrojnë struktura të mirëorganizuara për orientimin në karrierë dhe të ofrojnë mbështetje konkrete për nxënësit në këtë drejtim.