Një shtëpi bari me kushte dhe stil anglez është zbuluar së fundmi në Laknas, Kamëz.
Dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Fatmir Matraxhi pas kthimit nga Anglia kishin shndërruar vilën e tyre trekatëshe një fermë kanabisi me mbi 20 rrënjë të mbjella, një sasi të përpunuar kanabisi, si dhe pajisje të sofistikuara për kultivim, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues dhe 2 pajisje për matjen e temperaturës.
Të rinjtë duket se kanë patur eksperiencë të mirë në Angli pasi janë kujdesur që askush mos të dyshojë për aktivitetin e paligjshëm që zhvillonin në katin e dytë të banesës. Ata kishin vendosur aspiratorë dhe freskuese për të larguar aromën dhe përdornin bokse me muzikë të lartë për të mos rënë në sy.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se punonjësi i OSHEE-së, Endrit Paja, 29 vjeç, kishte favorizuar këtë aktivitet të paligjshëm duke mos raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që përdorej për kultivimin e bimëve narkotike. Për këtë arsye, ai është arrestuar për shpërdorim detyre.
Pas arrestimit të dy vëllezërve, policia ka proceduar në gjendje të lirë babain e tyre pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.