Nënkryetari i Komunës së Prishtinës dhe kandidati për deputet i LDK-së, Florian Dushi i ka hedhur poshtë pretendimet e gazetarit Baton Haxhiu se ai është pjesë e një fraksioni brenda Lidhjes Demokratike.
Në një reagim në rrjetin social Facebook të martën, Dushi i quajti ‘sajime’ deklarimet për një grup të ri politik brenda LDK-së.
“Nuk është mirë që si informata për publikun të servohen sajimet e atyre që sillen korridoreve të LDK-së”, ka thënë ai. “Florian Dushi duke qenë gjithmonë vetëm pjesë e LDK-së dhe jo e çfarëdo ‘grupi’ brenda saj, vazhdon të jetë pjesë e strukturave të saj udhëheqëse me tepër se dy dekada”.
Dushi tha se LDK-ja ka nevojë për unitet, e jo për përçarje.
“LDK sot, si kurrë më parë, ka nevojë për një unitet të të gjitha strukturave të saj për shkak edhe të zgjedhjeve lokale që i kemi shumë afër dhe në këtë formë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë tutje trendin e mire që LDK kishte në zgjedhjet që sapo përfunduan”, u shpreh ai.
Gazetari dhe opinionisti politik Baton Haxhiu tha të martën se hatërmbetjet të cilat janë shfaqur të martën, nuk janë të rastësishme.
Haxhiu tha se tash e disa kohë ka një grup të pakënaqur të njerëzve brenda LDK-së.
“Hatërmbetjet e atëhershme po shfaqen sot. Kush janë njerëzit të cilët realisht janë afër Avdullah Hotit? Janë dy arsye, e para sepse janë një grup i njerëzve të cilët e kanë një moshë bukur të gjatë brenda LDK-së si Arben Gashi, Florian Dushi e të tjerë, të cilët e kanë humbur garën për deputet dhe kanë shfaqur pakënaqësi me mllef, sidomos në mbledhjen e fundit të kryesisë”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, Gashi dhe Dushi janë pjesë e grupit të pakënaqur, të cilët e kanë iniciuar kundërshtimin publik të Hotit ndaj lidershipit partiak.
“Këta kanë qenë iniciuesit kryesor që të shfaqet kjo gjuhë e sotme e Avdullah Hotit. Nuk besoj që Hoti është njeriu i vetëm i cili në këtë moment e kundërshton hapur Lumir Abdixhikun. Ai është përfaqësues i një grupacioni shumë të fortë politik brenda LDK-së, edhe në numër edhe në kualitet”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, Florian Dushi është emëruar vitin e kaluar nënkryetar i Komunës së Prishtinës pa ‘aminin’ e Lumir Abdixhikut.
“Sa është i fortë lidershipi te një grup i Lumir Abdixhikut, tregon se Abdixhiku ka dashur një tjetër nënkryetar në Komunën e Prishtinës – ai është dashur të jetë një prej atyre që është në miqësi me Abdixhikun – por realisht, grupiacioni më i fortë, është përcaktuar për Florian Dushin”, tha Haxhiu.