Qentë endacakë të Vlorës janë kthyer në një shqetësim serioz për banorët e qytetit, por edhe turistët, pasi përbëjnë një kërcënim të vërtetë për sigurinë.
Një qytetar është sulmuar nga qentë endacakë e Lungomares, ndërkohë zona është një nga atraksionet kryesore të qytetit.
Pas sulmit, qytetari është përballur me një tjetër problem, mungesën e vaksinës së tetanozit në spital dhe detyrimin për ta blerë në farmaci me paratë e tij. Ai thotë se ky është vetëm një nga shumë rastet që ka ndodhur në Vlorë, ku qentë endacakë kanë sulmuar qytetarët dhe kanë shkaktuar panik.
Qytetarët kërkojnë nga autoritetet që të marrin masa urgjente për të trajtuar këtë problem dhe për të siguruar që qyteti të jetë i sigurt për ata që jetojnë dhe vizitojnë Vlorën.
Sipas tyre, bashkia e Vlorës me në krye Ermal Dredhën ka dështuar në trajtimin e këtij problemi, duke mos siguruar strehim për qentë endacakë në vendet e përcaktuara dhe pa i sistemuar ato siç parashikohet nga politikat përkatëse për kafshët e rrugës. Kjo ka sjellë një rritje të rrezikut për qytetarët, që shpesh janë sulmuar gjatë kalimit të rrugës.
Qytetarët kërkojnë një veprim të menjëhershëm për të siguruar që qentë endacakë të mblidhen dhe të strehohen në mënyrën e duhur dhe që qyteti të jetë i sigurt për të gjithë, pasi shëtitorja e Lungomares është krejt ndryshe nga reklamat e postuara në rrjetet sociale.