Mëngjesin e sotëm, autoritetet policore në Turqi kanë arrestuar Ekrem Imamoglu, kryetarin e bashkisë së Stambollit, pas një hetimi që lidhet me parregullsi financiare dhe lidhje të mundshme me PKK-në (Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit).
Imamoglu, 54 vjeç, i cili kryeson Erdoganin në disa sondazhe dhe është rivali i tij kryesor, përballet me dy hetime të veçanta që përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.
Hetimi fokusohet në veprimet e kompanisë Medya AS dhe projektin "Urban Consensus", i cili dyshohet se ka pasur shkelje të ligjit. Zyrtarët turq kanë lëshuar urdhra arresti për këta individë, duke përfshirë edhe Imamoglu.
Operacioni policor i ditës së sotme përfshin 3,000 oficerë policie, ka synuar mbi 100 individë, duke përfshirë bashkëpunëtorët e Imamoglu, ndër të cilët janë edhe figura të njohura si Murat Ongun, Tuncay Yilmaz, Fatih Keles dhe Ertan Yildiz.
Në një video të postuar nga Ekrem Imamoglu nga shtëpia e tij, ai deklaroi se është përgatitur për arrestim, por nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë betejën politike kundër presidentit Erdogan. Ai tha se "një grusht njerëzish po përpiqen të përmbysin vullnetin e kombit" dhe shtoi se nuk do të lejojë që të pengohet nga askush. Imamoglu gjithashtu theksoi se lufta do të vazhdojë për të mbrojtur popullin turk dhe do të qëndrojë i vendosur në pozitat e tij.
Për këtë situatë ka reaguar edhe lideri i partisë opozitare CHP, Özgür Özel, i cili e ka përshkruar arrestimin e Imamoglu si një "grusht shteti". Ai ka theksuar se kjo është një përpjekje për të penguar vullnetin e popullit dhe për të shmangur mundësinë që Ekrem Imamoglu të bëhet presidenti i ardhshëm i Turqisë. Özel tha se "përpjekja për grusht shteti do të dështojë dhe në fund, vullneti popullor do të fitojë".
Ky zhvillim ka tensionuar situatën politike në Turqi, duke ngritur shqetësime për mundësinë e një grushti shteti dhe për ndikimin e këtij operacioni në garën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Zgjedhjet e ardhshme janë caktuar për vitin 2028, por Erdogan ka arritur kufirin e tij prej dy mandatesh si president, pasi më parë kishte shërbyer si kryeministër. Nëse ai dëshiron të kandidojë përsëri për presidencën, ai duhet të thërrasë zgjedhje të parakohshme dhe të pretendojë se nuk e ka përfunduar mandatin e tij të dytë ose të ndryshojë kushtetutën.
Millet iradesine darbe vuruluyor. pic.twitter.com/waXHu23ZVN
— Ekrem İmamoğlu (@ekrem_imamoglu) March 19, 2025