Një skandal i ri ka dalë në pah në sistemin arsimor shqiptar, duke shkaktuar revoltë dhe stres tek mësuesit që kanë dhënë provimin e kualifikimit.
QSHA (Qendra e Shërbimeve Arsimore), institucioni përgjegjës për administrimin e këtij provimi, ka dështuar në ofrimin e një mënyre funksionale për të pranuar ankesat e kandidatëve.
Një qytetar ka denoncuar për JOQ Albania se as forma online për dërgimin e ankesave nuk funksionon dhe as emaili i ofruar nga institucioni nuk ekziston.
Sipas tij, çdo tentativë për të dërguar një ankesë rezulton e pasuksesshme, me mesazhin e gabimit: "Kërkesa juaj dështoi për shkak të një gabimi serveri".
Më tej, ai ka provuar edhe kontaktin me telefonin zyrtar të QSHA-së, por është përballur me një tjetër absurditet: numri nuk ekziston!
Denoncimi i plotë i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ Albania, doja të trajtoja me ju një problem lidhur me dërgimin e ankesave për provimin e kualifikimit drejtuar QSHA-së. Ky është emaili që QSHA ka ofruar për të drejtuar ankesat tona. Forma online për dërgimin e ankesave nuk funksionon, duke qenë se ka probleme me serverin. Gjithashtu, as me email nuk i dërgon, pasi ai email nuk ekziston. Pothuajse çdo email i institucioneve në Shqipëri del që nuk ekziston. Nëse e keni të mundur, bëjeni publike, pasi mësuesit janë në stres të madh nga ai provim dhe tani as ankesa nuk mund të bëjnë. Kam plotësuar të gjitha dhe më shfaqet mesazhi: ‘Your submission failed’. Madje, sapo provova edhe numrin e telefonit zyrtar dhe as ai nuk ekziston: +355 4 2419257”.
Si është e mundur që një institucion shtetëror të ofrojë një email dhe numër telefoni që nuk ekzistojnë? Pse mësuesit, të cilët kanë në dorë edukimin e brezave të ardhshëm, trajtohen në këtë mënyrë? Kjo situatë vetëm sa shton dyshimet për mungesën e transparencës dhe seriozitetit nga ana e QSHA-së dhe Ministrisë së Arsimit.