U ekstradua nga Spanja, mbërrin në Rinas ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.03.2025, 23:10

Ish-kreu i "Bandës së Durrësit", Lulzim Berisha, është ekstraduar nga Spanja në Shqipëri mbrëmjen e 18 marsit, nën masa të rrepta sigurie. Sipas burimeve, ai ka mbërritur në aeroportin "Nënë Tereza" pas një operacioni të realizuar nga Interpol Madridi në bashkëpunim me autoritetet shqiptare.

Gjykata Kombëtare e Spanjës vendosi pranimin e kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e Berishës, pavarësisht kundërshtimit të tij me pretendimin se jeta e tij do të ishte në rrezik në vendin e origjinës.

Me ekstradimin e tij në Shqipëri, Berisha pritet të përballet me drejtësinë, ku akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut.

Kush është Lulzim Berisha?

Lulzim Berisha është një emër i njohur në botën e krimit në Shqipëri. Ai konsiderohet si truri i "Bandës së Durrësit". Ky grup i rrezikshëm kriminal ka vepruar nga fundi i viteve ’90 dhe fillimi i viteve 2000 dhe është përgjegjës për një seri vrasjesh dhe veprimtarish kriminale që kanë tronditur vendin për vite me rradhë.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit:

17 tetor 1998 – Vrasja e parë e dokumentuar, ku u ekzekutua Dritan Sallaku në Durrës nga anëtarët e bandës.

29 tetor 1998 – Ekzekutimi i Viron Currit dhe Arjan Pajës, si dhe plagosja e Marsel Sotirit.

22 gusht 1999 – Marsel Sotiri, i mbijetuari i atentatit të mëparshëm, ekzekutohet në një pritë në lagjen Plazh të Durrësit.

9 korrik 2000 – Banda kryen një tjetër atentat ku vritet Dritan Disha në Shënavlash.

14 janar 2002 – Ekzekutimi i Ervin Lames në lagjen nr. 3 të Durrësit.

2003 – Konflikte të brendshme brenda grupit çojnë në ndarjen e organizatës në dy fraksione rivale: një të drejtuar nga Lulzim Berisha dhe tjetrën nga Klodian Saliu.

26 shkurt 2005 – Organizata e Berishës hakmerret ndaj rivalëve duke vrarë Klodian Saliun pranë Maminasit.

13 tetor 2005 – Ish-fraksioni i Saliut, tani nën drejtimin e Indrit Dokles, hakmerret duke vrarë Avni Gashin, trupi i të cilit u gjet në Romanat, Durrës.

30 tetor 2005 – Grupi i Indrit Dokles kryen një tjetër vrasje, duke eliminuar Ilir Kolgjinin pranë stadiumit "Qemal Stafa" në Tiranë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit