Skema/ Si elektricistët “turistë” nga Shqipëria vidhnin rrymën për “shtëpitë e barit” në Angli

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.03.2025, 21:25

Një grup punëtorësh të veshur me jelekë reflektues dhe furgona me logo nisën të hapnin rrugët në Middlesbrough, duke krijuar idenë e një kompanie të ligjshme ndërtimi. Por në fakt, pas kësaj fasade fshihej një skemë kriminale e drejtuar nga shqiptarët, e cila furnizonte tregun me miliona paund drogë duke vjedhur energjinë elektrike për të kultivuar kanabis.

Në një operacion që zgjati katër vite dhe përfshiu të paktën 100 ferma kanabisi në 32 rajone policore, banda arriti të devijonte furnizimin me energji, duke kursyer miliona paund dhe duke rritur prodhimin e kanabisit me vlerë 21 milionë paund, raporton DailyMail.

Në qendër të kësaj skeme ishin dy drejtorë të një kompanie ndërtimi, Ross McGinn dhe Andrew Roberts, të cilët përmes kompanisë së tyre Elev8 Civils & Utilities Ltd krijuan një rrjet gërmimesh të rreme, duke lidhur fshehurazi fermat e kanabisit me rrjetin elektrik. Ata punësonin punëtorë britanikë për të kryer gërmimet dhe elektricistë shqiptarë për të bërë lidhjet ilegale të energjisë.

Në janar të këtij viti, një elektricist shqiptar u arrestua gjatë bastisjes së fermave të kanabisit në Uells, ku u zbuluan bimë me vlerë mbi 1.5 milionë paund. Hetimet zbuluan se banda kishte punësuar elektricistë shqiptarë të cilët hynin në Britani me viza turistike, realizonin ndërhyrjet në rrjet dhe më pas ktheheshin në Shqipëri, të paguar mirë për "pushimet" e tyre.

Arrestimet e para ndodhën në shkurt të vitit 2023, kur policia bastisi disa objekte të përdorura si ferma kanabisi, përfshirë një ish-hotel, një klub nate dhe një dyqan të braktisur. Gjatë hetimeve, policia arriti të lidhej me grupin përmes kamerave të sigurisë dhe mesazheve në WhatsApp, ku përdorej termi “Albos” për shqiptarët që menaxhonin plantacionet.

Më 7 mars, tetë britanikë u dënuan me gjithsej 32 vite burg, por bosët shqiptarë të kësaj skeme kriminale mbeten ende në arrati. Ata operojnë nga jashtë, duke menaxhuar rrjetin nga Dubai apo vende të tjera, ndërsa rekrutojnë shqiptarë për të mbajtur fermat në funksion. Autoritetet britanike ende po hetojnë për të identifikuar dhe kapur krerët e këtij rrjeti të fuqishëm droge.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit